Please enter at least 3 characters.

Rikthehet furnizimi me energji elektrike në Ferizaj

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike, KOSTT, ka njoftuar se është rikthyer furnizimi i plotë dhe stabil me energji elektrike për qytetarët dhe konsumatorët në Ferizaj.

Sipas njoftimit, stabilizimi i furnizimit është bërë i mundur pas angazhimit intensiv të ekipeve teknike dhe bashkëpunimit me ekipet e KEDS, duke u siguruar një zgjidhje alternative në nënstacionin “Ferizaj 1”.

“Falë angazhimit intensiv të ekipeve teknike dhe bashkëpunimit me ekipet e KEDS, është mundësuar zgjidhje alternative në NS Ferizaj 1”, thuhet në njoftimin e KOSTT.

KOSTT ka falënderuar qytetarët për mirëkuptim dhe bashkëpunim, duke theksuar se mbetet e përkushtuar në garantimin e stabilitetit të sistemit energjetik dhe furnizimit të qëndrueshëm me energji elektrike.

“KOSTT falënderon qytetarët për mirëkuptim dhe bashkëpunim, ndërsa mbetemi të përkushtuar në garantimin e stabilitetit të sistemit energjetik dhe furnizimit të qëndrueshëm me energji elektrike për të gjithë qytetarët e vendit”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/