Please enter at least 3 characters.

Rihanna shfaqet me fanellën e Roc-A-Fella, ndez thashethemet për një paraqitje me Jay-Z

Rihanna është fotografuar në New York teksa po shkonte drejt stadiumit Yankee për të ndjekur koncertin e Jay-Z, duke tërhequr vëmendjen me zgjedhjen e veshjes së saj.

Këngëtarja u shfaq me një fanellë të Roc-A-Fella Records, shtëpia diskografike e themeluar nga Jay-Z, të cilën e kombinoi me pantallona të gjera, shapka, syze të mëdha dielli dhe bizhuteri argjendi, duke ruajtur stilin e saj karakteristik.

Paraqitja e saj erdhi mes spekulimeve se mund t'i bashkohej Jay-Z në skenë gjatë natës së fundit të serisë së koncerteve të tij në stadiumin Yankee, shkruan DailyMail.

Megjithatë, Rihanna nuk bëri një performancë surprizë, pavarësisht pritshmërive të fansave.

Dy artistët kanë një histori të gjatë bashkëpunimesh, duke sjellë hite si "Umbrella", "Run This Town" dhe "Talk That Talk".

Marrëdhënia e tyre profesionale daton që nga viti 2005, kur Rihanna firmosi kontratën e saj të parë me Def Jam, në kohën kur Jay-Z ishte president i shtëpisë diskografike.

Koncertet në Yankee Stadium po zhvillohen në kuadër të festimeve për 30-vjetorin e albumit debutues të Jay-Z, "Reasonable Doubt", ndërsa në dy netët e para artisti ka surprizuar publikun me paraqitje të ftuarish si Beyoncé, Blue Ivy, Pharrell Williams, Nas, Eminem dhe Alicia Keys. /Telegrafi/