Please enter at least 3 characters.

Rasti në Graçanicë, Rashiq alaramon: Mbi 20 persona mund të jenë larguar nga puna, presioni është brutal


Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka deklaruar se qytetarët në Kosovë janë lodhur nga zgjedhjet e shpeshta, por sipas tij, te komuniteti serb problemi është edhe më i thellë për shkak të presionit politik që po ushtrohet ndaj votuesve nga Beogradi zyrtar.

Në “Përballje Podcast” në Telegrafi, Rashiq tha se edhe shqiptarët, edhe serbët janë të lodhur nga proceset e shpeshta zgjedhore, por te komuniteti serb, siç u shpreh ai, fushatat gjithnjë e më shumë po ngjajnë me presion dhe frikësim sesa me garë të lirë demokratike.

“Normalisht që njerëzit, si shqiptarët ashtu edhe serbët, janë të lodhur me zgjedhje”, tha Rashiq.

Ai theksoi se në komunitetin serb kjo situatë përsëritet në çdo proces zgjedhor, ndërsa sipas tij, niveli i ashpërsisë dhe radikalizimit ndaj qytetarëve është rritur.

“Kam qenë ndoshta pak naiv kur kam menduar se nuk do të veprojnë kaq vrazhdë, ashpër dhe në mënyrë radikale. Por çdo herë kur kemi zgjedhje të ardhshme, ata e ngrisin nivelin e ashpërsisë”, deklaroi Rashiq.

Sipas tij, kësaj radhe presioni ka arritur një nivel edhe më të lartë, pasi fushata e Listës Serbe dhe strukturave të lidhura me Beogradin ka nisur shumë herët.


Duke folur për largimet nga puna në Graçanicë të personave që kanë punuar në institucionet paralele të Serbisë në Kosovë, Rashiq tha se rreth 20 persona janë larguar nga puna, ndërsa shtoi se numri i saktë nuk dihet, pasi disa raste nuk janë raportuar nga frika e hakmarrjes ndaj familjarëve.

“Janë larguar rreth 20 persona nga puna. Numri i saktë nuk dihet, sepse disa nuk kanë raportuar fare nga frika se mund të ketë hakmarrje shtesë ndaj familjarëve të tyre”, tha ai.


Ai e cilësoi këtë si një veprim brutal ndaj qytetarëve serbë që nuk e mbështesin Listën Serbe.

“Po përjetojmë një veprim brutal. Një diktaturë që pa dyshim ekziston për momentin në Beograd”, deklaroi Rashiq.

Sipas tij, presioni ndaj serbëve që mendojnë ndryshe nuk është dukuri e re, por në këtë fushatë është bërë më i organizuar dhe më i ashpër.

- YouTubewww.youtube.com

Rashiq tha se qytetarët serbë që mbështesin alternativa të tjera politike po përballen me frikë, shantazh dhe pasiguri, duke shtuar se kjo e dëmton drejtpërdrejt të drejtën për zgjedhje të lira brenda komunitetit serb në Kosovë. /Telegrafi/.

true