Please enter at least 3 characters.

Raportet e ftohta mes tyre, Carvajal nuk e ftoi Arbeloan në darkën e lamtumirës

Dani Carvajal organizoi të mërkurën një darkë lamtumire përpara largimit të tij nga Real Madridi, por ajo që mori më shumë vëmendje ishte mungesa e trajnerit Álvaro Arbeloa në listën e të ftuarve.

Sipas gazetarit spanjoll Mario Cortegana të “The Athletic”, mbrojtësi veteran ftoi shokët e skuadrës dhe disa anëtarë të stafit të klubit, por jo trajnerin aktual të “Los Blancos”.

Carvajal po i jep fund një periudhe shumë të suksesshme te Real Madridi, pasi kontrata e tij skadon këtë verë dhe klubi nuk ka ndërmend t’i ofrojë rinovim. Në prag të largimit, 34-vjeçari vendosi të organizojë një mbrëmje me bashkëlojtarët për të përmbyllur aventurën e tij në “Santiago Bernabéu”.

Raporti mes lojtarëve dhe Arbeloas duket se është tensionuar gjatë muajve të fundit. Në raport përmendet se edhe ylli francez Kylian Mbappe ka pasur mosmarrëveshje me trajnerin spanjoll.

Ky episod vetëm sa shton kaosin që ka shoqëruar sezonin e Real Madridit, një sezon zhgënjyes në të cilin klubi nuk arriti të fitojë asnjë trofe. Situata u përkeqësua edhe më shumë pas raportimeve për përplasje mes Federico Valverde dhe Aurelien Tchouameni në dhomat e zhveshjes.

Në fillim të sezonit, Xabi Alonso u largua nga posti i trajnerit mes pakënaqësive të lojtarëve, ndërsa Arbeloa mori drejtimin e ekipit.

Megjithatë, edhe ai pritet të largohet në fund të sezonit, me Jose Mourinhon që raportohet se do të marrë drejtimin e Real Madridit nga sezoni i ardhshëm. /Telegrafi/