Please enter at least 3 characters.

​Rama paralajmëron masa të rrepta, do të mbyllen vendpunishtet me shkelje në kryeqytet

rama

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar për masa të reja ndaj vendpunishteve ndërtimore, pas shqetësimeve për sigurinë në terren.

Përmes një postimi në Facebook, Rama ka bërë të ditur se ka marrë vendim për krijimin e një komisioni emergjent që do të vlerësojë të gjitha vendpunishtet aktive në territorin e kryeqytetit.

“I shqetësuar me gjendjen aktuale në terren dhe me qëllim të rritjes së sigurisë publike, sot në mëngjes kam ftu drejtorët e Kryeqytetit dhe marrë vendim për krijimin e ‘Komisionit për Vlerësimin Emergjent të të GJITHA vendpunishteve në territorin e Kryeqytetit’”, ka shkruar Rama.

Sipas tij, komisioni do të përbëhet nga ekspertë të urbanizmit, inxhinierë të licencuar dhe përfaqësues të emergjencave, të cilët do të nisin menjëherë inspektimet në terren.

Ai ka paralajmëruar masa të ashpra ndaj çdo vendpunishteje ku konstatohen shkelje të sigurisë.

“Të gjitha vendpunishtet ku evidentohen shkelje apo probleme serioze të sigurisë do të mbyllen menjëherë”, ka theksuar Rama.

Po ashtu, ai ka bërë të ditur se këto raste do t’i nënshtrohen analizave të detajuara institucionale, të cilat mund të çojnë deri në revokimin e lejeve të ndërtimit.

Rama ka paralajmëruar edhe përgjegjësi për inspektorët komunalë që nuk kanë raportuar parregullsi në terren.

“Çdo inspektor komunal që nuk ka raportuar çfarëdo parregullsie në terren do të mbahet përgjegjës”, ka deklaruar ai.

Në fund, kryetari i Prishtinës u ka bërë thirrje subjekteve ndërtimore që të bashkëpunojnë me institucionet dhe të respektojnë ligjin. /Telegrafi/