Please enter at least 3 characters.

Rama: Do të jemi forcë e rëndësishme fituese

2016/01/f.0930185154441_m.gif

Rama u shpreh se ky vit me disa fitore dhe posaçërisht me fitoren në Francë konfirmoi se era e ndryshimit tanimë ka filluar të fryjë majtas.

“Fitoret e pritshme pas pak kohe në Lituani dhe në Rumani do të jenë në vazhdën e këtij konfirmimi dhe unë vetë nuk kam dyshim që fitorja jonë në 2013 do të bëhet pjesë e këtij karvani fitoresh të së majtës europiane në rang vendesh të ndryshme”, nënvizoi ai.

Rama përsëriti se edhe kjo përfshirje në presidencën e Partisë Socialiste Europiane do të jetë një ndihmesë shumë e rëndësishme në funksion të mbajtjes ngritur të vëmendjes së familjes europiane ndaj zgjedhjeve në Shqipëri, raporton noa.al.

“Sepse në fund të fundit ne i fituam zgjedhjet dhe më parë por nuk u zgjodhëm, ndërkohë që 2013 do të jetë viti i konfirmimit tonë si një forcë e zgjedhur, ku fitorja pa asnjë dyshim do të na takojë dhe ne do ta bëjmë atë të paprekshme”, vlerësoi Rama.

Gjithashtu kreu socialist u shpreh se Partia Socialiste Europiane dhe presidenti i ri, do të jetë një forcë mbështetëse e gjithë anëtarëve të kësaj familjeje politike evropiane.

“Një nga shprehjet më të qarta të vullnetit të këtij kongresi, është vullneti për të mbështetur njëri tjetrin dhe padyshim Partia Socialiste Europiane me presidentin e ri do të jetë një forcë mbështetëse për të gjitha partitë anëtare të kësaj familjeje dhe nga ana tjetër unë dua të shpreh bindjen time që në zgjedhjet e ardhshme me programin tonë ‘Për një Rilindje Shqiptare’, që i atashohet shumë bukur edhe programit të përbashkët për një Rilindje Europiane, do të jemi një forcë e rëndësishme fituese për Shqipërinë dhe për rajonin”, u shpreh kryesocialisti.

Gjatë ditës së dytë të Kongresit, delegatët zgjodhën Presidentin e ri të Partisë së Socialistëve Europiane, Sergei Stanishev, i cili i pyetur për të ardhmen europiane të Shqipërisë, u shpreh se vendi që sot i bashkohet Bashkimit Europian duhet të përmbushë një numër kriteresh politike.

“Për mua standardi demokratik është një prej kritereve më të rëndësishme politike për t’u bërë anëtar në Bashkimin Europian. Ju do shihni një deklaratë, e cila do adoptohet sot në mbrëmje pas debateve. Ne kemi një paragraf të veçantë mbi standardet demokratike, sepse ne do kërkojmë që këto standarde të implementohen. Ne do vendosim një mekanizëm kontrolli mbi këto standarde jo vetëm për ata që duan të anëtarësohen në Bashkimin Europian por edhe ata që janë pjesë e Bashkimit Europian”, u shpreh ai për të shtuar në këtë drejtim se do të krijohet një mekanizëm kontrolli për standardin e demokracisë.

Stanishev nënvizon se në zgjedhjet e ardhshme standartet demokratike duhet të zgjerohen dhe PSE do t’i monitorojë.

Në këtë Kongres, kryesocialisti Rama u zgjodh anëtar i Presidiumit të Partisë së Socialistëve Europian, hera e parë që një drejtues i majtë shqiptar zgjidhet në një forum kaq të lartë drejtues të socialistëve europianë. /Telegrafi/