Please enter at least 3 characters.

QKUK jep detaje rreth gjendjes së fëmijës së lënduar në aksidentin në Istog

Një fëmijë është transferuar për trajtim në Qendrën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës si pasojë e lëndimeve që ka marrë në aksidentin që ka ndodhur në Shushicë të Istogut sot rreth orës 16:00.

Drejtori i Klinikës Emergjente, Naser Syla, tha se pacienti ka pësuar politraumë të rëndë.

“Fëmija është pranuar në gjendje të rëndë, me politraumë si pasojë e aksidentit në komunikacion. Janë kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme dhe aktualisht pacienti ndodhet nën observim në Qendrën Emergjente. Pas përfundimit të vlerësimit dhe stabilizimit të gjendjes, trajtimi do të vazhdojë në Klinikën e Mjekimit Intensiv”- ka deklaruar Syla për Kallxo.

Syla tha se gjendja e tij është e rëndë por stabile për momentin.

Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka dhënë detaje lidhur me aksidentin e trafikut që ndodhi pasditen e sotme në Istog.

Sipas njoftimit, rreth orës 16:00 është pranuar një paciente pa shenja jete.

“Pacientja kishte pësuar politraumë dhe, përkundër procedurave të ndërmarra, është konstatuar pa shenja jete”- thuhet në njoftim.

Ndërsa thuhet se rreth 30 minuta më vonë, në Emergjencë janë pranuar edhe katër të lënduar nga i njëjti aksident.

“Një fëmijë, me lëndime të rënda, është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), i intubuar dhe nën përcjelljen e ekipit të Anestezionit. Sipas mjekëve, ai ka pësuar politraumë, hemorragji intrakraniale dhe frakturë të femurit”- thuhet tutje në njoftim.

Ndërkohë, një paciente është hospitalizuar në Repartin e Ortopedisë me frakturë të femurit, ndërsa dy persona të tjerë, pasi kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe janë konstatuar me lëndime të lehta trupore, janë liruar për trajtim ambulantor.