Please enter at least 3 characters.

Qëndrimi ndaj Kosovës, telashe për qeverinë spanjolle

2016/01/f.0401165202533_m.jpg

Kritikat janë shtuar edhe me shumë me skandalin e fundit, atë të publikimit të letrave konfidenciale që i janë dërguar ministrit të Jashtëm spanjoll nga ambasadori i Spanjës në NATO, Carlos Miranda, bën të ditur gazeta El Pais.

Ambasadori spanjoll, në telegramin e tij kishte shprehur zemërimin e madh që ka shkaktuar te SHBA-të dhe NATO-ja sjellja politike ministrit të Jashtëm spanjoll, Miguel Angel Moratinos.

Ambasadori Miranda kishte dëgjuar lajmin për tërheqjen e trupave spanjolle nga Kosova nga goja e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer.

Përmbajtja e telegrameve, ku përfshihen edhe takimet e ambasadorit me homologët e tij në NATO, është publikuar të martën në gazetën ABC - ndërsa ky shkrim ka shkaktuar polemika të mëdha në Parlamentin spanjoll dhe rrethin diplomatik të Spanjës.

Ministria e Jashtme spanjolle ka nisur hetimet rreth skandalit të telegrameve, ndërsa opozita ka kërkuar të thirren në interpelancë ministri i Jashtëm dhe ai i Mbrojtjes.

Ndërkaq një pjesë e diplomatëve spanjollë e ka përshkruar politikën e jashtme të Spanjës si pa përmbajtje dhe në qorrsokak – madje duke e përshkruar atë si politikë të papërgjegjshme të dorës së tretë.

Sidoqoftë, në një sondazh që ende është i hapur në gazetën spanjolle El Pais, të lidhur ngushtë me partinë në pushtet, tregon se shumica e spanjollëve, respektivisht 63% të tyre kundërshtojnë largimin e trupave spanjolle nga Kosova.
Përgatiti: Gent Prokshi