Punimet te Rrethi Flamurit, Trafiku Urban njofton për devijimin e linjave 3 dhe 4
Trafiku Urban në Prishtinë ka njoftuar qytetarët se, për shkak të punimeve dhe bllokimit të rrugës “Fehmi Lladrovci”, do të ketë ndryshime të përkohshme në qarkullimin e autobusëve të linjave 3 dhe 4.
Sipas njoftimit, bazuar në vendimin e Komunës së Prishtinës, devijimi do të jetë në fuqi nga 10 deri më 18 korrik 2026, në segmentin nga Rrethi i Flamurit deri te Rrethi i Spitalit, dhe do të vlejë vetëm në drejtimin e ardhjes.
Për linjën nr. 3 (Bardhosh – Rrethi i Matit), itinerari i përkohshëm do të jetë: Eqrem Çabej – Afrim Zhitia – Xhevë Lladrovci – Astrit dhe Arbnor Dehari – Rrethi i Matit.
Ndërkaq, linja nr. 4 (Parku i Gërmisë – Matiqan) do të qarkullojë përmes rrugëve: Eqrem Çabej – Afrim Zhitia – Xheladin Rekaliu – Matiqan.
Trafiku Urban ka bërë të ditur se në drejtimin Matiqan – Parku i Gërmisë për linjën 4 dhe Rrethi i Matit – Bardhosh për linjën 3, autobusët do të vazhdojnë të qarkullojnë sipas itinerarit të rregullt.


