Please enter at least 3 characters.

PSG i dërgon te ekipi U21 disa nga yjet e skuadrës - dy prej tyre ishin në Kupën e Botës për Klube

Me përfundimin e sezonit, në Paris ka nisur faza përgatitore dhe disa prej lojtarëve që nuk janë më në planet e klubit janë rikthyer në stërvitje këtë javë në Kampusin e Poissy (Yvelines).

Pas testeve mjekësore të zakonshme, lojtarët si Milan Skriniar, Marco Asensio, Nordi Mukiele, Carlos Soler, Ilyes Housni dhe Lucas Lavallée janë bashkuar me skuadrën U21 të PSG-së, më 16 korrik.

Renato Sanches dhe Randal Kolo Muani pritet t’u bashkohen më 23 korrik, pasi përfaqësuan Benficën dhe Juventusin në Kupën e Botës për Klube dhe përfituan disa ditë shtesë pushimi, shkruan Le Parissien.

Por pranisë së tyre në stërvitje nuk i mungon një notë e qartë: asnjëri prej tyre nuk pritet të qëndrojë në klub për sezonin e ardhshëm. PSG po kërkon mënyra për t’i larguar përfundimisht, me prioritet për të realizuar shitje të qëndrueshme financiarisht, e jo vetëm huazime.

Në veçanti, Kolo Muani, i cili ka kontratë me PSG deri në vitin 2028, është pranë largimit pas një huazimi të suksesshëm te Juventusi, ku realizoi 10 gola dhe 2 asiste në gjashtë muaj.

Francezi ka shprehur dëshirën për të qëndruar në Torino dhe Juve ka bërë disa oferta huazimi me blerje të detyrueshme. Megjithatë, PSG kërkon që pagesa të realizohet menjëherë, jo në vitin e ardhshëm.

Përveç Juventusit, disa klube angleze janë duke monitoruar situatën, duke pritur që tregu i sulmuesve të nisë të lëvizë.

Një nga prurjet që mund të hapë "valën e parë" është transferimi i Hugo Ekitike, që ndodhet në bisedime të avancuara me Liverpoolin. /Telegrafi/