Please enter at least 3 characters.

Ngritet aktakuzë ndaj një kompanie për mashtrim në tender në Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit U.D., dhe personit juridik “M.L.L.C’’për shkak të dyshimit të bazuar mirë se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.

Sipas aktakuzës, gjatë muajit gusht 2024 në Prizren, i pandehuri U.D., në cilësinë e drejtorit të kompanisë “M.L.L.C.”, gjatë aplikimit në procedurën e prokurimit publik me titull “Sigurimi fizik në objektet e shëndetësisë primare të Komunës së Prizrenit”, në vlerë prej 80,825.60 euro, ka paraqitur dokumentacion të rremë, përkatësisht një faturë në vlerë prej 4,775.00 euro, me qëllim të mashtrimit dhe ndikimit në vendimin e autoritetit kontraktues.

Siç bëhet e ditur në aktakuzë, dokumentacioni i paraqitur në kuadër të ofertës është verifikuar nga ATK dhe është konstatuar se nuk ishte i deklaruar sipas legjislacionit tatimor në fuqi.

"Për të njëjtat veprime, aktakuza është ngritur edhe ndaj personit juridik “M.L.L.C”.Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur për veprën penale për të cilën akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, po ashtu për të pandehurin U.D., prokuori i çështjes ka propozuar dënimin plotësues mosushtrimi i funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik", thuhet në aktakuzë. /Telegrafi/