Please enter at least 3 characters.

Presidentja shpërndan Kuvendin – Kosova shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nënshkruar vendimin për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, pak minuta pas takimit të thirrur me liderët e partive politike parlamentare.

Këtë e bëri të ditur kryetari i GUXO, Faton Peci pas takimit, duke thënë se Osmani nuk pati zgjidhje tjetër veçse të firmoste shpërndarjen e Kuvendit.

Ky veprim erdhi pasi edhe mandatari i dytë i propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca, dështoi të sigurojë votat e nevojshme për formimin e qeverisë.

Pas shpërndarjes së Kuvendit, sipas Kushtetutës, presidentja është e obliguar të caktojë datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme brenda 40 ditësh.

Osmani tashmë ka zhvilluar konsultimet me përfaqësuesit e partive, të cilët kanë shprehur data 21 dhe 28 dhjetor si të preferuara për mbajtjen e zgjedhjeve.

Me nënshkrimin e vendimit, vendi hyn zyrtarisht në proces zgjedhor, ndërsa institucionet aktuale do të vazhdojnë punën në kapacitet të kufizuar deri në formimin e qeverisë së re. /Telegrafi/


<section><h2>Cilën datë e preferoni për Zgjedhjet Parlamentare 2025?</h2><p></p></section><section><h2>21 dhjetor</h2></section><section><h3>28 dhjetor</h3></section>