Please enter at least 3 characters.

Presidenti polak i heq Zelenskyt dekoratën më të lartë shtetërore

Presidenti i Polonisë ka vendosur t’i heqë presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyt, “Urdhrin e Shqiponjës së Bardhë”, dekorata më e lartë shtetërore polake.

Vendimi, sipas presidentit polak Karol Nawrocki, nuk është i drejtuar kundër popullit ukrainas dhe nuk ndryshon politikën strategjike të sigurisë së Polonisë.

“Dua të theksoj se ky vendim nuk është kundër popullit ukrainas. Ai nuk ndryshon drejtimin strategjik të politikës së sigurisë së Polonisë. Ne e kemi mbështetur dhe vazhdojmë ta mbështesim Ukrainën”, deklaroi Nawrocki.

Arsyeja e heqjes së dekoratës lidhet me vendimin e Zelenskyt për të emërtuar një njësi speciale të Forcave të Armatosura të Ukrainës me emrin e “heronjve të UPA-së” (Ushtrisë Kryengritëse Ukrainase).

Në Poloni, pjesëtarët e UPA-së akuzohen për përfshirje në spastrime etnike ndaj polakëve dhe krime lufte gjatë Luftës së Dytë Botërore, një çështje që vazhdon të jetë shumë e ndjeshme në marrëdhëniet polako-ukrainase.

Zelensky e kishte marrë Urdhrin e Shqiponjës së Bardhë në vitin 2023 nga ish-presidenti polak, Andrzej Duda, si vlerësim për rolin e tij në forcimin e marrëdhënieve mes Polonisë dhe Ukrainës, si dhe për përpjekjet në fushën e sigurisë, rezistencës dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut. /Telegrafi/