Please enter at least 3 characters.

Presidenti i Bayernit tallet me Liverpoolin për Luis Diaz: Duhet të jenë duke shkulur flokët

Uli Hoeness ka kritikuar Liverpoolin, ndërsa ka lavdëruar Luis Diaz për formën e tij te Bayern Munich, duke vënë në pikëpyetje vendimet e klubit anglez në merkato.

Duke folur në podcastin “Auf eine weiß-blaue Tasse”, presidenti nderi i Bayern Munich u shpreh:

“Ata në Liverpool duhet vërtet të pyesin veten çfarë gabimesh kanë bërë atje”.

“Ata blenë Isak për 150 milionë euro nga Newcastle dhe e lanë Diaz të largohej për rreth 70 milionë euro. Ata duhet të jenë duke shkulur flokët kur shohin çfarë po bën ai”.

Diaz ka qenë në formë fantastike këtë sezon, duke regjistruar 24 gola dhe 18 asistime në 42 ndeshje, duke u kthyer në një lojtar kyç për skuadrën e Vincent Kompany.

“Ai nuk është vetëm një lojtar i mirë dhe golashënues, por edhe një punëtor i jashtëzakonshëm”.

“Në krahun e tij nuk ndodh asgjë. Ai kthehet mbrapa dhe ndihmon edhe në mbrojtje”.

Hoeness paralajmëroi gjithashtu për gabime të ngjashme në strategjinë e transferimeve, duke lënë të kuptohet se mënyra si Liverpool menaxhoi këtë situatë është e diskutueshme.

Diaz ndërkohë ishte ndër më të mirët edhe ndaj Real Madridit, ku Bayerni arriti t’i eliminojë për të siguruar pjesëmarrjen në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve./Telegrafi/