Prebreza: Hapësira e uzurpuar po u kthehet qytetarëve të Fushë Kosovës
Kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Valon Prebreza, ka njoftuar përmes një videoje të publikuar në Facebook se një hapësirë prej rreth 20 ari në Bllokun 300, e cila më parë ishte e uzurpuar, do të shndërrohet në park për qytetarët.
Prebreza ka bërë të ditur se në terren ka qenë së bashku me drejtorin e Infrastrukturës, Arianit Termkolli, drejtorin e Inspekcionit, Durim Hajra, si dhe menaxheren e projektit, Luljeta Nebihu.
Sipas tij, hapësira tashmë po i kthehet qytetarëve përmes një projekti konkret, ndërsa parku do të rregullohet dhe pajiset me elementet e nevojshme për shfrytëzim nga komuniteti.
Punimet, sipas njoftimit të kryetarit, pritet të përfundojnë deri në fund të muajit nëntor.
“Secila hapësirë e uzurpuar në Komunën e Fushë Kosovës, e cila është pronë komunale, do t’u kthehet qytetarëve përmes projekteve konkrete”, ka deklaruar Prebreza, duke paralajmëruar se në ditët në vijim do të prezantohen edhe projekte të tjera. /Telegrafi/


