Politika nuk është «hajt të gjej një vend pune…»
Në vende serioze partitë politike flasin për programin e qeverisjes, në Kosovë debati fillon e mbaron për poste: kush çka po merr. Kështu po ngjet edhe kësaj radhe. Dhe sërish kjo është fyerje ndaj elektoratit. Ky popull duket se ka më shumë durim se ç’kanë politikanët kohë të tallen me të. Ah, e kush po bëhet president?
Le ta marrim si shembull Gjermaninë: pas zgjedhjeve parlamentare partia që del e para zakonisht i bën ofertë për koalicion njërës prej partive të përfaqësuara në Bundestag. Takohen delegacionet e të dy partive. Ato përbëhen nga liderë partiakë dhe nga ekspertë të fushave të ndryshme. Takim pas takimi diskutohet mbi afrimin e pikave programore të partive që duan të krijojnë qeverinë. Ku përputhen programet dhe ku jo? Ku mund të bëhen kompromise dhe ku jo? Flitet për tema jetike: si të sigurohet furnizimi me energji? Si të garantohen pensionet edhe për gjeneratat e ardhshme? Si të reformohet administrata? Përballja zhvillohet edhe rreth tatimeve: partia konservatore kërkon mundësisht uljen e tatimeve dhe ia mban anën ekonomisë, ndërmarrjeve të mëdha e punëdhënësve, partia e majtë lufton për të drejtat e punëtorëve, për rroga më të mira, për më shumë ditë të lira. Në fund, kur të arrihet marrëveshja, çdo gjë hidhet në letër. Letra quhet «Koalitionsvertrag», pra kontrata e koalicionit. Fillon qeverisja dhe nis zbatimi i programit të qeverisë. Kur ka mospajtime, mblidhet komiteti i koalicionit dhe diskuton për zgjidhjen e problemit.
Le ta marrim si shembull Kosovën: gjithë viti i kaluar kaloi me komedinë rreth zgjedhjes së kryetares apo kryetarit të Kuvendit. Fetishistët e numrimit me siguri e dinë saktë sa herë është mbledhur Kuvendi vitin e kaluar dhe sa seanca kanë dështuar (mbi 50 apo 60 herë?). Ky post nga partitë konsiderohej me gjasë aq i rëndësishëm, saqë u bllokua parlamenti në betejën se kush do të ulet në atë karrigen e famshme për drejtimin e punëve të Kuvendit.
Pas dy palë zgjedhjeve të panevojshme, miliona eurove të harxhuara dhe qindra punëve të papërfunduara, tani shfaqet kryetari i partisë së tretë dhe pas një takimi me kryetarin e partisë që doli e para thotë se posti i kryetarit të Kuvendit qenka «ceremonial», domethënë i parëndësishëm. Mund të jetë ashtu, por pse vitin që shkoi mbahej një qëndrim tjetër, pse i jepej rëndësi aq e madhe një posti të tillë?
Në përgjithësi, politika në viset shqiptare shihet si hapësirë për të gjetur një vend pune. Pothuaj të gjitha debatet zhvillohen me ambicien se kush çka po merr, çfarë posti po grabit. Fitohet përshtypja se në politikë kanë hyrë si raste sociale dhe kërkojnë një mundësi për të gjetur një vend pune dhe marrë një rrogë, sepse, siç e kanë thënë të mençurit, në politikën shqiptare rroga është e vogël, por fitimi i madh. Andaj postit i kushtohet rëndësi, jo programit. Nuk dihet a u takuan VV dhe LDK për të arritur marrëveshje për bashkëqeverisje apo LDK synon të marrë vetëm postin e presidentit dhe të qëndrojë në opozitë? Si zakonisht opinioni nuk njoftohet dhe kësisoj mbetet shumë hapësirë në bursën e spekulimeve, supozimeve dhe teorive të konspiracionit.
Kur dalin në zgjedhje, qytetarët ua falin besimin deputetëve me idenë që, si bartës të vullnetit të popullit, të zgjedhin në parlament një qeveri, e cila, siç e thotë llafi, do të qeverisë, gjithsesi duke qenë e mbikëqyrur nga parlamenti. Qeverisje domethënë zbatim i programit. Në të kaluarën kemi parë kur partitë janë marrë vesh për koalicion (lexo: për ndarje postesh) dhe me atë rast opinionit i është prezantuar një letër A4 me disa fraza që lexoheshin si koncert dëshirash. Kjo ishte marrëveshja e koalicionit.
Kontrata e koalicionit e qeverisë gjermane i ka gati 150 faqe tekst dhe detajisht përshkruan se çfarë e ka ndërmend qeveria të bëjë në ekonomi, industri, turizëm, bujqësi, komunikacion, infrastrukturë, klimë, energji, ambient, zhvillim digjital, arsim, shkencë, shëndetësi, sport, në çështjet e familjes dhe rinisë. Kontrata e koalicionit ka madje edhe një preambulë, e cila fillon me këto fjali: «Gjermania ndodhet përballë sfidave historike. Politika e viteve që vijnë do të vendosë në mënyrë vendimtare nëse edhe në të ardhmen do të jetojmë në një Gjermani të lirë, të sigurt, të drejtë dhe të begatë. Ne jemi të vetëdijshëm për këtë përgjegjësi dhe e përshtatim veprimin dhe politikën tonë sipas saj. Këtë e bëjmë duke pasur parasysh forcën e vendit tonë dhe të demokracisë sonë: Gjermania mund ta përballojë me sukses çdo detyrë me forcat e veta dhe në bashkëveprim me partnerët dhe miqtë tanë në botë».
Cinikët do të thonë: nuk jemi ne Gjermani. E saktë. Por kjo është një qasje kapitulluese në politikë. Një vend pa politikanë ambiciozë për të realizuar programe qeverisëse në të mirë të vendit është i dënuar të numërojë në vend. Kosova është një shembull i tillë.
Ah, e kush po bëhet president?
Posti i presidentit nuk i takon Lëvizjes Vetëvendosje. Nuk i takon as ndonjë funksionari të LDK-së, për shkak se, ngjashëm si ndonjë eksponent i VV-së, edhe kandidati i LDK-së nuk do ta përfaqësonte «unitetin e popullit», siç kërkon Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Por presidenti nuk mund të jetë figurë jopolitike, siç po sugjeron kryetari i VV-së. Kushtetuta e thotë qartë: «Presidenti i Republikës së Kosovës është përfaqësues legjitim i vendit brenda dhe jashtë dhe garantues i funksionimit demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës». Si mund të jetë dikush garantues i funksionimit demokratik të institucioneve nëse nuk ka kurrfarë përvoje politike? Unitetin e popullit mund ta përfaqësojë dikush që pak a shumë qëndron mbi palët, që ka përvojë në politikën e brendshme dhe të jashtme dhe që nuk e sheh postin e presidentit vetëm si mundësi për të udhëtuar poshtë e lart nëpër dynja pa asnjë arsye bindëse, përveç kënaqjes së dëshirave të shfrenuara (hotelet, jahtet, fluturimet transatlantike) - dëshira që s’ka pasur rast t’i realizojë kur nuk ka qenë në politikë. Kosova nuk është agjenci turistike! Por si të tillë e trajtojnë gati të gjithë politikanët, e sidomos ata që grabitin një post të lartë.


