Please enter at least 3 characters.

Plani i Bayernit për ta mbajtur Harry Kane

Bayern Munich ka vendosur të veprojë pas interesimit të fortë të Barcelonës dhe disa klubeve të tjera për transferimin e Harry Kane.

Sulmuesi anglez, që u bashkua me kampionët gjermanë në vitin 2023 dhe u shndërrua menjëherë në liderin e repartit ofensiv, është rikthyer në qendër të vëmendjes së afatit kalimtar.

Megjithëse ka kontratë deri në vitin 2027, një klauzolë e veçantë që i lejon të largohet verën e ardhshme për 65 milionë euro, nëse e njofton klubin në janar ka ndezur spekulimet në Evropë.

Kjo shumë konsiderohet mjaft e arritshme për nivelin e Kane, ndaj disa skuadra e shohin si një mundësi të rrallë për të siguruar një golashënues të klasit botëror.

Barcelona, e kufizuar nga rregullat financiare, do ta kishte këtë skemë si rrugën më të favorshme për të firmosur me një “9” të elitës.

Sidoqoftë, burime pranë lojtarit bëjnë të ditur se ai nuk ka ndërmend ta aktivizojë klauzolën, duke qenë plotësisht i kënaqur me jetën dhe projektin sportiv në Munich.

Duke parë interesimin e rritur, Bayern ka nisur lëvizjet për ta blinduar plotësisht yllin e tij. Klubi po punon për një rinovim që do ta zgjaste kontratën deri në vitin 2028, me rritje të ndjeshme page dhe heqje të çdo klauzole largimi.

Drejtuesit e shohin Kane si një gur thelbësor për të ardhmen dhe janë të vendosur të shmangin çdo rrezik që mund ta largojë nga Allianz Arena.

Aktualisht, gjithçka tregon se Kane do të vazhdojë të jetë lideri i sulmit bavarez edhe për shumë vite. /Telegrafi/