Please enter at least 3 characters.

Përzgjedhësi i Turqisë: Kosova na vuri në telashe, ata kanë një ekip mjaft cilësor

Përzgjedhësi i kombëtares së Turqisë, Vincenzo Montella, ka folur me tone respekti për kombëtaren e Kosovës pas finales së playoff-it për Kupën e Botës, duke vlerësuar lart paraqitjen e “Dardanëve”.

Pas një fitoreje të ngushtë të Turqisë në një ndeshje tejet të luftuar, trajneri italian pranoi se skuadra e tij u përball me shumë vështirësi përballë Kosovës, e cila sipas tij tregoi cilësi dhe organizim të lartë në fushë.

“Kosova na vuri në shumë telashe. Ne ishim të përgatitur për këtë sepse Kosova ka një ekip shumë cilësor, por është për të ardhur keq që vetëm një ekip mund të kualifikohet për Kupën e Botës”, u shpreh Montella pas ndeshjes.

Ai theksoi se përballja ishte një provë e vërtetë për Turqinë, duke shtuar se Kosova dëshmoi se është një skuadër në ngritje dhe me potencial për të ardhmen.

Sipas Montellës, niveli i lojës së treguar nga Kosova konfirmon se ajo mund të rivalizojë çdo ekip në skenën ndërkombëtare.

Megjithatë, në fund ishte Turqia ajo që siguroi kualifikimin, duke lënë Kosovën jashtë një ëndrre historike.

Pavarësisht eliminimit, paraqitja e ekipit kosovar mori vlerësime të shumta, jo vetëm nga tifozët, por edhe nga kundërshtarët./Telegrafi/