Përmbyllet numërimi i votave në 21 komuna
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se deri në orën 21:30 është përmbyllur verifikimi dhe numërimi i votave në 21 Qendra Komunale të Numërimit.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur listën e komunave ku ka përfunduar procesi:
“Hani i Elezit (e hënë), Junik, Mamushë, Zveçan (e martë), Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Deçan, Shtime, Klinë, Shtërpcë, Obiliq, Istog, Skenderaj (e mërkurë), Viti, Rahovec, Suharekë, Dragash, Kaçanik, Lipjan, Fushë Kosovë dhe Ferizaj (e enjte),” tha Elezi.
Ai shtoi se në Qendrat Komunale të Numërimit po zhvillohen tre aktivitete kryesore:
Verifikimi i rezultateve nga zgjedhjet për kryetarë të komunave.
Verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga zgjedhjet për kuvendet komunale.
Numërimi i votave të kandidatëve për anëtarë të kuvendeve komunale.
Rezultatet nga QKN-të, vendvotim pas vendvotimi, po publikohen vazhdimisht në platformën online të KQZ-së.


