Please enter at least 3 characters.

Përfundon konferenca Global Digital City 2026 në Tetovë

Konferenca dyditore Global Digital City 2026, e mbajtur më 25 dhe 26 shkurt në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, bashkoi me sukses institucionet, liderët e biznesit, partnerët ndërkombëtarë, komunitetin akademik dhe të rinjtë, me qëllim hapjen e një diskutimi për të ardhmen e sektorëve të outsourcing-ut të proceseve të biznesit (BPO) dhe teknologjive të informacionit dhe komunikimit (IKT), zhvillimin e fuqisë punëtore dhe mundësitë e punësimit për të rinjtë.

Ngjarja filloi të mërkurën me fjalë përshëndetëse nga Blerim Shaqiri, president i ABSL Maqedonia e Veriut, Bilal Kasami, kryetar i Komunës së Tetovës, dhe prof. dr. Veland Ramadani, prorektor i Universitetit të Evropës Juglindore. Dita e parë vazhdoi me një panel diskutimi të nivelit të lartë mbi ndërtimin e një ekosistemi konkurrues BPO dhe IKT, me fokus në rolin e politikave, rregullativës dhe institucioneve, ku morën pjesë përfaqësues të vetëqeverisjes lokale, agjencive të inovacionit dhe sektorit akademik. Në këtë panel kontribuuan Elmi Osmani, Sunchica Arsovska, Avni Arifi dhe Elena Ginali.

Fjalimet kryesore gjatë ditës së parë u përqendruan në ndikimin e inteligjencës artificiale në sektorin BPO, përmes një studimi rasti të prezantuar nga Dime Galapchev, drejtor ekzekutiv i Finqup, pasuar nga një prezantim mbi ekosistemin e startup-eve dhe lidhjen e tij me sektorin BPO nga Sanja Mitrovska, drejtoreshë ekzekutive e Networker. Dita u mbyll me një panel diskutimi kushtuar konceptit të lidershipit dhe shërbimeve fraksionale, si dhe me sesione të strukturuara networking dhe matchmaking, ku morën pjesë Igor Madzov, Dime Galapchev, Vasko Karangeleski dhe Elena Ginali.Dita e dytë e Global Digital City 2026 iu kushtua të rinjve, aftësive dhe mundësive të punësimit. Fjalimet hyrëse u mbajtën nga Blerim Shaqiri, Besar Durmishi, ministër i Ekonomisë dhe Punës, Sh.T. Ola Selstrom, ambasador i Suedisë në Maqedoninë e Veriut, prof. dr. Blerta Abazi-Chaushi, dekane e Universitetit të Evropës Juglindore, si dhe Paulo Rodrigues, menaxher programi i RECONOMY.

Fjalimet kryesore të ditës së dytë u fokusuan në mundësitë për të rinjtë përmes përvojës suedeze, programeve inovative dhe trendeve aktuale të punësimit në sektorët BPO dhe IKT. Prezantime mbajtën Oskar Algvere nga SMCC, prof. dr. Shpresa Alija nga projekti Challenge EU dhe Nadica Stavrova, përfaqësuese e Shoqatës Maqedonase për Burime Njerëzore.

Në kuadër të ditës së dytë u organizuan edhe trajnime praktike në formatin “Skills-to-Hire”, që përfshinë tema mbi fuqinë punëtore të gatshme për AI, komunikimin dhe zgjidhjen e problemeve në nivel të lartë, mjetet digjitale për kërkim pune dhe përgatitjen e CV-së, si dhe programe për sipërmarrje të të rinjve. Ngjarja përfundoi me një sesion të shpejtë networking-u dhe lidhjeje të të rinjve me punëdhënësit, duke mundësuar takime të drejtpërdrejta mes studentëve, kërkuesve të punës dhe kompanive.

Gjatë dy ditëve, Global Digital City 2026 shërbeu si një platformë për dialog, bashkëpunim dhe shkëmbim praktik, duke forcuar rolin e Tetovës si një qendër në rritje për talentet digjitale, inovacionin dhe punësimin.

Kjo iniciativë është pjesë e ndërhyrjeve të zhvilluara në kuadër të RECONOMY, një program rajonal për zhvillim ekonomik gjithëpërfshirës dhe të gjelbër i Agjencisë Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim (Sida), i zbatuar nga HELVETAS Swiss Intercooperation në partneritet me Help – Hilfe zur Selbsthilfe dhe partnerë të tjerë në vendet e Partneritetit Lindor dhe Ballkanit Perëndimor.