Perëndimi po e shpërfill partneritetin e ri të rrezikshëm që po e riformëson Iranin nga brenda
Nga: Kasra Aarabi dhe Saeid Golkar / The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com
Një partneritet i ri i errët duket se është formuar midis dy figurave më të fuqishme të Trupave të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC). Megjithatë, në Perëndim ai është shpërfillur pothuajse krejtësisht.
Nuk është sekret se mbulimi mediatik i zakonshëm i luftës me Iranin ka vuajtur nga mungesa e nuancës. Por, askund kjo nuk ka qenë më e qartë sesa në përpjekjet për të kuptuar strukturën e brendshme të pushtetit të regjimit - pas eliminimit të udhëheqësit suprem, Ali Khamenei.
Pas vdekjes së Khameneit dhe mungesës misterioze të djalit dhe pasardhësit të tij, Mojtabas, narrativa mbizotëruese nxitoi ta paraqiste kryetarin e Parlamentit iranian dhe veteranin e IRGC-së, Mohammad Bagher Ghalibaf, si “Putinin” e Iranit. Dhe, ndonëse është e vërtetë që IRGC-ja vazhdon të mbetet në kontroll të regjimit (një proces që kishte nisur shumë kohë para luftës), shpejt u bë e qartë se Ghalibafi nuk ishte pushteti i vërtetë në Teheran.
Jo vetëm që Ghalibafi është minuar gjatë negociatave me Shtetet e Bashkuara, por thashethemet që qarkullojnë në rrjetet e figurave më të reja të IRGC-së sugjerojnë se ish-gardisti tani është tërhequr i zemëruar, pasi është lënë jashtë lojës.
Në mars, zbuluam se Ahmad Vahidi, komandanti i ri i përgjithshëm i IRGC-së, ishte në fakt figura kryesore e pushtetit në regjim - një raport që më pas është konfirmuar prej burimeve të inteligjencës perëndimore. Por, kjo është vetëm gjysma e historisë.
Megjithëse Vahidi është pa dyshim një figurë kyçe - në mos figura kryesore - e regjimit, ai ka munguar në komandën e IRGC-së gjatë viteve të fundit për shkak të roleve të rëndësishme që ka ushtruar në burokracinë shtetërore, përfshirë postin e ministrit të Brendshëm nën Ebrahim Raisin e ndjerë në vitin 2021, dhe drejtimin e Universitetit Suprem të Mbrojtjes Kombëtare që nga viti 2018. Prandaj, qëkur Vahidi u bë komandant i përgjithshëm, atij i është dashur të zgjerojë bazën e mbështetjes brenda IRGC-së, veçanërisht ndër brezat më të rinj të Gardës dhe milicisë së saj Basixh.
Këtu hyn në skenë Mohammad Ali Jafari (i njohur edhe si Aziz Jafari), ish-komandant i përgjithshëm i IRGC-së - dhe ndoshta individi i dytë më i fuqishëm në Iran për momentin. Jafari është njeriu që ka zgjidhje për problemin e Vahidit. Dhe, sipas informacioneve tona, midis Vahidit dhe Jafarit është formuar një aleancë e errët, ndërsa të dy janë rivalë të fortë të Ghalibafit.
Përplasja personale e Jafarit me Ghalibafin u bë publike në vitin 2022. Një regjistrim i rrjedhur i një bisede të vitit 2018, mes Jafarit - atëherë komandant i përgjithshëm i Gardës - dhe zëvendësit ekonomik të IRGC-së, implikonte Ghalibafin në korrupsion të gjerë. Megjithatë, ishte Jafari ai që përfundimisht humbi postin e tij.
Por, Jafari nuk do të lihej mënjanë. Në fakt, në vitin 2019, ai do të merrte drejtimin e një prej organizatave më të rëndësishme dhe më të fshehta të krijuara për të inxhinieruar rezultatet politike dhe shoqërore në Iran: selisë enigmatike Bakiatallah.
Rëndësia e këtij aparati u theksua në një regjistrim të rrjedhur që ne siguruam nga selia Bakiatallah, ku zëvendësi i saj, zyrtari i lartë i IRGC-së, Sasan Zare, zbulonte se selia kishte të njëjtin status të veçantë si forca famëkeqe Kuds - në kuptimin që raportonte drejtpërdrejt te Zyra e Udhëheqësit Suprem.
Jafari është një nga strategët më të aftë të IRGC-së. Si komandant i përgjithshëm nga viti 2007 deri në vitin 2019, ai projektoi dhe mbikëqyri decentralizimin e Gardës, një strategji lufte që IRGC-ja po e përdor tani kundër Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit. Pas vitit 2007, ai shtyu përpara krijimin e gardave provinciale të IRGC-së për ta përgatitur regjimin ndaj dy kërcënimeve madhore: luftës së jashtme dhe trazirave të brendshme.
Nën udhëheqjen e tij, IRGC-ja i zgjeroi ndjeshëm kapacitetet e saj ushtarake dhe të sigurisë. Jafari ndihmoi në krijimin e Organizatës së Inteligjencës së IRGC-së, themeloi komandën kibernetike të Gardës dhe forcoi kapacitetin e saj për luftë asimetrike kundër Shteteve të Bashkuara. Ai luajti gjithashtu një rol qendror në shtypjen brutale të protestave kundër regjimit në vitet 2009 dhe 2017-2018, të cilat e sfiduan seriozisht mbijetesën e Republikës Islamike.
Në vitin 2019, Jafari krijoi selinë Bakiatallah si një krah shoqëror dhe kulturor të IRGC-së. Siç ka treguar hulumtimi ynë, qëllimi i saj ishte organizimi, trajnimi dhe mobilizimi i bazës së vogël, por radikale, mbështetëse të regjimit në mbarë Iranin. Kjo strategji përqendrohej tek ajo që IRGC-ja e quan “Unaza e Mesme”, një rrjet të rinjsh radikalë islamistë. Plani i Jafarit synonte krijimin e 800 mijë grupeve të vogla, me gati katër milionë anëtarë, nëpër lagjet e Iranit brenda pesë vjetësh. Këto grupe trajnoheshin për të kryer operacione kulturore dhe politike, nga politika ideologjike dhe propaganda e deri te formësimi i rezultateve politike.
Që nga viti 2019, “Unaza e Mesme” është përdorur edhe për inxhinierimin e zgjedhjeve. Në mars të vitit 2024, një audio e rrjedhur tregonte ish-ministrin e Jashtëm, Javad Zarif, duke iu referuar rolit të Jafarit në manipulimin e zgjedhjeve. Në vitin 2024, Jafari thuhet se e përdori këtë rrjet për të mbështetur Saeed Jalilin dhe për ta penguar Ghalibafin të arrinte në raundin e dytë, duke e thelluar rivalitetin mes tyre.
Në të vërtetë, pikërisht përmes këtij aparati të “Unazës së Mesme”, Jafari ka qenë në gjendje të konsolidojë dhe të komandojë një bazë të fortë ndër brezat e tretë dhe të katërt të IRGC-së dhe Basixhit, më të rinj dhe më të bindur ideologjikisht - pikërisht elektorati për të cilin Vahidi ka nevojë tani.
Ashtu si Jafari, edhe Vahidi - një “puritan” ideologjik i vijës së ashpër - ka gjasa të ketë pikëpamje të pafavorshme ndaj Ghalibafit për shkak të akuzave për korrupsion, të cilat kanë njollosur reputacionin e vetë IRGC-së si një forcë islamiste ideologjike.
Dobësia politike e Ghalibafit buron gjithashtu nga hendeku midis imazhit të tij revolucionar dhe stilit të jetesës së familjes së tij jashtë vendit. Raportet kanë nxjerrë në pah lidhjet afatgjata të djalit të tij, Eshaghut, me Australinë, ku ai studioi, punoi, mbajti qëndrim të përkohshëm dhe përfitoi të ardhura nga qiraja e pronave. Bashkëshortja, vajza dhe dhëndri i Ghalibafit ishin gjithashtu në qendër të skandalit “LayetteGate” në vitin 2022, pasi u kthyen nga Turqia, me sa duket, me një sasi të madhe mallrash për foshnja, në një kohë kur iranianët e zakonshëm po vuanin nën trysni të thellë ekonomike.
Këto skandale kanë ushqyer imazhin e një njeriu që predikon kursim revolucionar brenda vendit, ndërsa familja e tij përfiton nga jeta jashtë tij. Politikisht, Ghalibafi ka qenë gjithashtu tepër i fleksibil qëkur hyri në politikën zgjedhore në vitin 2005. Ai është zhvendosur midis imazhit të një komandanti të ashpër sigurie, një kryebashkiaku teknokrat, një modernizuesi pragmatik dhe një radikali besnik pranë qendrës së pushtetit.
Ky ndryshim i vazhdueshëm i imazhit e ka ndihmuar të mbijetojë, por gjithashtu ka bërë që shumë fraksione brenda regjimit të mos i besojnë. Ghalibafi mishëron oligarkinë e korruptuar të IRGC-së, e cila ka ardhur nën kritika të forta nga brezat më të rinj dhe më të bindur ideologjikisht të Gardës.
Kështu, një koalicion i interesave, i ideologjive dhe pushtetit duket se i ka bashkuar Vahidin dhe Jafarin - krerët e dy prej klaneve oligarkike më të fuqishme të IRGC-së. Vahidi ka nevojë për Jafarin që të mobilizojë “Unazën e Mesme” dhe brezat më të rinj të IRGC-së dhe Basixhit për të ndërtuar një bazë personale mbështetjeje, ndërsa Jafari po e përdor Vahidin për të lënë mënjanë rivalë si Ghalibafi.
Kjo aleancë midis Jafarit dhe Vahidit mund të fillojë gjithashtu ta riformësojë strukturën, personelin dhe taktikat e IRGC-së. Të dy përfaqësojnë një perspektivë puritane dhe ideologjike brenda IRGC-së, një qasje që politikën, shoqërinë dhe rajonin i sheh përmes një prizmi të ashpër teokratik-sigurie. Nëse aleanca e tyre ka sukses, ajo do t’i fuqizojë segmentet më të reja dhe më radikale të Gardës dhe Basixhit, të cilat janë më të disiplinuara ideologjikisht dhe më pak të lidhura me politikën e vjetër burokratike të Republikës Islamike.
Kjo do ta thellonte shndërrimin e regjimit nga një teokraci e mbrojtur nga IRGC-ja në një teokraci sigurie të dominuar prej saj. Pasojat do të jenë serioze. Brenda vendit, Republika Islamike ka gjasa të bëhet edhe më represive. Jashtë vendit, një gardë që merr plotësisht autoritetin politik do të jetë më agresive: ajo nuk do ta shohë përballjen me armiqtë e Iranit si rrezik, por si gjuhën natyrore të pushtetit.
Nëse regjimi dhe aleanca Vahidi-Jafari i mbijetojnë luftës, këto pasoja do të bëhen shumë të qarta - sidomos pasi Bibi dhe Trumpi të mos jenë më në pushtet. /Telegrafi/


