Please enter at least 3 characters.

Për 15 minuta kapen hajnat që vodhën një fabrikë në Dragash

Tre persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin për vjedhje në një fabrikë jashtë funksionit në Dragash.

Sipas Policisë, rasti është raportuar të martën në mbrëmje, ndërsa veprimet policore kanë çuar në arrestimin e tre të dyshuarve brenda një periudhe prej rreth 15 minutash.

I dyshuari i parë, sipas njoftimit, është arrestuar rreth orës 22:30 brenda objektit të fabrikës, ndërsa rreth orës 22:45 janë arrestuar edhe dy persona të tjerë.

“Në vendin e ngjarjes, te të dyshuarit, janë gjetur mjete të përdorura për vjedhje si: dorëza, fleks, bateri, sharrë metalike, si dhe një automjet që i përkiste njërës nga të dyshuarit”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Në vendin e ngjarjes, përveç hetuesve të Stacionit Policor në Dragash, kanë dalë edhe hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve në Prizren, të cilët kanë ndërmarrë veprimet e mëtejshme hetimore.

Të tre të dyshuarit, meshkuj të moshave 38, 37 dhe 36 vjeç, janë intervistuar dhe më pas, me aktvendim të prokurorit kujdestar, janë ndaluar për 48 orë.

Policia ka sekuestruar automjetin e të dyshuarve, si dhe mjetet e punës që dyshohet se janë përdorur gjatë kryerjes së veprës.

“Policia është duke punuar me përkushtim për mbledhjen e dëshmive lidhur me rastin në fjalë, si dhe lidhjen e të dyshuarve me veprat tjera të njëjta”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/