Please enter at least 3 characters.

Peja bëhet arenë e tenisit ndërkombëtar, Freitag dhe Capin triumfojnë në “Peja Open 2026”

Moritz Freitag dhe Milica Capin janë shpallur fitues të turneut ndërkombëtar të tenisit World Tennis J30 Peja Open 2026, i cili u zhvillua në kompleksin sportiv “Arben Zeka” në Brestovik të Pejës.

Në edicionin e parë të këtij turneu morën pjesë 78 tenistë dhe teniste nga 24 shtete, duke i dhënë garës karakter të rëndësishëm ndërkombëtar.

Në konkurrencën e meshkujve, titulli i takoi austriakut Moritz Freitag, i cili në finalen e madhe dominoi ndaj izraelitit Yonatan Barak, duke triumfuar bindshëm me rezultat 6-0, 6-2.

Te femrat, kampione u shpall Milica Capin, e cila në finale ishte më e mirë se Milana Rashan-Buha dhe siguroi trofeun e turneut.

Në konkurrencën e çifteve për meshkuj, triumfuan britanikët Thomas Nailer dhe Toby Shaw, ndërsa te femrat titullin e kampioneve e fituan çifti i përbërë nga çekja Natalie Havkova dhe kroatja Milana Rashan-Buha.

Aktivitetet ndërkombëtare të tenisit në Pejë do të vazhdojnë menjëherë, pasi nga 25 deri më 30 gusht, po në kompleksin sportiv “Arben Zeka” në Brestovik, është në program edicioni i radhës i World Tennis J30 Peja Open 2026. /Telegrafi/