PDK sërish para Qeverisë, Deliu: Kosova vazhdon të mbahet pa institucione funksionale
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) edhe sot ka dalë para Qeverisë së Kosovës, në kuadër të aksionit të saj lidhur me mungesën e institucioneve funksionale në vend.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka thënë se arsyeja e protestës së tyre mbetet e njëjtë.
“Edhe sot para Qeverisë. Sërish për të njëjtën arsye: Kosova vazhdon të mbahet pa institucione funksionale”, ka shkruar Deliu.
Ajo ka ngritur kritika edhe për çështjen e 50 milionë eurove për riparimin e vagonëve të Trainkos-it në Serbi, duke pretenduar se në kohën e bllokadës institucionale, kjo çështje ka funksionuar.
Deliu ka thënë se kërkesat për transparencë nga punonjësit janë përballur me masa nga pushteti.
“Dhe kur një punonjës kërkon transparencë e qytetarët ta dinë këtë, përgjigjja e pushtetit janë masat ndaj tij”, ka shkruar ajo.
Në fund, deputetja e PDK-së e ka kritikuar qeverinë duke thënë se “ata që erdhën me flamurin e patriotizmit, sot e ndëshkojnë transparencën dhe i dërgojnë milionat në Serbi”.
“ Kjo është fotografia e pushtetit sot”, ka përfunduar Deliu. /Telegrafi/


