Please enter at least 3 characters.

PDK akuzon LVV-në për bllokadë, kërkon ndërhyrjen e Presidentes

Sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka reaguar pas dështimit të 32-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje.

Çitaku ka kërkuar ndërhyrje më aktive nga Presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

“Në këtë rast, zgjidhja e vetme është që Lëvizja Vetëvendosje të reflektojë,” tha Çitaku para gazetarëve.

Ajo shtoi se në këtë situatë të ngërçit politik, roli i Presidentes është i domosdoshëm.

“I bëjmë thirrje edhe Presidentes që të marrë një rol më aktiv, sepse në kuadër të kompetencave të saj është edhe mbarëvajtja dhe funksionimi demokratik i institucioneve”

Deputetja e PDK-së e quajti situatën aktuale një “pengmarrje klasike” dhe theksoi se Vetëvendosje nuk ka shumicë parlamentare për të imponuar kandidatin e saj për kryetar të Kuvendit.

“Kjo është një pengmarrje klasike. VV po e mban Kuvendin të bllokuar. Ne kemi ofruar alternativë, edhe pse nuk kemi detyrim të votojmë kandidatin e tyre pa shumicë, ata po e mbajnë të bllokuar konstituimin e Kuvendit të Kosovës.” u shpreh Çitaku.

Ajo bëri të ditur se PDK, për hir të zhbllokimit të procesit, ka ofruar një alternativë.

“Partia Demokratike e Kosovës ka ofruar alternativë, ndonëse ne nuk kemi asnjë detyrim që të votojmë kandidatin e LVV-së pa shumicë parlamentare. Megjithatë, kemi propozuar që të zgjidhet dikush nga 40 deputetët tjerë që nuk kanë qenë pjesë e qeverisë,” u shpreh Çitaku.

Duke iu përgjigjur deklaratave të Albulena Haxhiut nga LVV, e cila është propozuar si kandidate për kryetare të Kuvendit, Çitaku u shpreh se votimi nuk mund të ndodhë pa një marrëveshje politike. /Telegrafi/