Pas fitores ndaj Istogut, Bora kualifikohet në finale të Kupës së Ligës së Parë
Bora është kualifikuar në finale të Kupës së Ligës së Parë. Skuadra nga Prishtina në gjysmëfinale mundi Istogun me rezultat 62-60 (16:9, 16:24, 14:18, 16:9).
Bora e nisi ndeshjen shumë më mirë, duke pasur epërsi prej 11 pikësh, qysh në çerekun e parë, 15:4, ndërsa kjo pjesë përfundon 16:9. Por, istogasit nuk dorëzohen dhe rikthehen shumë shpejt në periudhën e dytë, duke përmbysur rezultatin në 22:27, megjithatë prishtinasit afruan shifrat, ku pjesa e parë përfundon 32-33.
Perioda e tretë ishte interesante, ku Bora ishte në epërsi 45:39, por skuadra nga Istogu rikthehet sërish, për ta rikthyer epërsinë në të mirë të tyre 46:51. Kjo bëri që dhjetë minutat e fundit të jenë interesant, dhe fituesi është vendosur në çastet e fundit me Borën që triumfoi 62-60.
Më i miri te prishtinasit ishte Dion Haxhosaj me 18 pikë e 23 kërcime, ndërsa te istogasit Arian Azemi me 19 pikë e shtatë kërcime.
Bora në finale e pret fituesin e ndeshjes New Basket-Drita, që zhvillohet të enjten nga ora 14:00. Finalja zhvillohet të premten nga ora 14:00.


