Paraqitja e Llamkos Kosovës në pjesën e parë të edicionit 2014/15
Llamkos Kosova stinorin vjeshtor e mbylli në vendin e tretë me 25 pikë. Vushtrriasit gjithë këtë sukses e arritën pa asnjë centë. Futbollistët e kësaj skuadre nuk janë paguar për dhjetë muaj. Mirëpo, edhe përkundër kësaj, lojtarët e kampionit u sakrifikuan për të arritur sukses. Klubi nga Vushtrria në 16 ndeshje arriti të shënojë gjashtë fitore, shtatë barazime dhe pësoi tri humbje. Llamkosi, misionin për të mbrojtur titullin e kampionit e nisi me Ismet Munishin, mirëpo ky i fundit dha dorëheqje pas 12 javësh për shkak të gjendjes së vështirë financiare në të cilën ndodhet klubi. Drejtimin e ekipit e mori Bekim Shotani që në katër ndeshjet e fundit arriti të shënojë dy fitore dhe po aq barazime. Pranvera pritet të jetë shumë e vështirë për vushtrriasit, pasi qysh tani kanë filluar që lojtarët e dalluar ta braktisin këtë skuadër, raporton SportPlus.
Mbrojtja
Ashtu sikur edhe sezonin e kaluar edhe këtë stinor, Llamkos Kosova prinë me mbrojtjen më të mirë. Vushtrriasit në 16 ndeshje kanë pranuar vetëm 11 gola, duke qenë dukshëm mbrojtja më e mirë këtë pjesë të kampionatit. Më meritorët për arritjen e këtij suksesi padyshim se ishin portieri Petrit Tahiri dhe mbrojta e përbërë nga Alban Dragusha, Arbër Prekazi, Ilir Izmaku e Veton Shabani. Ndihëm në këtë drejtim dhanë edhe treshja, Shemsi Osmani, Mehmet Gërxhaliu dhe Liridon Ahmeti. Por, gjasat janë minimale që këtë grup të mbrojtjes ta ‘çelë pranvera’ në këtë skuadër, pasi ofertat janë të shumta për secilin.
Mesfusha
Mesfusha e Llamkos Kosovës ishte e mbipopulluar. Bahri Kera, Faruk Statovci, Bashkim Shala, Fatlum Ramadani, Daut Maxhuni, Dior Zabërxha e Besart Veseli dhanë kontributin e tyre. Nga të gjithë këta, ishte Bashkim Shala i pazëvendësueshëm e kjo erdhi edhe fal formës së shkëlqyer në të cilën kaloi futbollisti vushtrrias. Anëtari më i ri i Prishtinës arriti të zhvillojë të gjitha ndeshjet (16) në këtë edicion, duke kontribuar edhe me katër gola. Me lojëra të mira u veçua edhe i riu, Dior Zabërxha që u aktivizua në 12 ndeshje, duke arritur të shënojë një herë.
Sulmi
Në vijën e sulmit ishte një futbollist i pakonkurrencë. Bëhet fjalë për Labinot Osmanin që në këtë sezon shkelte gjithçka çka i dilte përpara. I transferuari para pak ditësh te Prishtina ishte sulmuesi i vetëm i skuadrës vushtrriase në këtë stinor. Ai në 16 paraqitje arriti të realizojë tetë gola, duke qenë realizatori i dytë më i mirë në elitë, pas Mark Milicajt që shënoi nëntë gola. Osmani në disa takime pati edhe mbështetjen e Bajram Zuqakut që në këtë edicion u kthye pas një lëndimi të gjatë që e kishte pësuar. Zuqaku zhvilloi 12 takime, duke shënuar tre gola. /Telegrafi/


