Papa paralajmëron për një "spirale shkatërrimi" mes luftës dhe teknologjive të reja
Kreu i Vatikanit, Papa Leoni ka paralajmëruar për atë që e përshkroi si “evolucion çnjerëzor” të marrëdhënies mes luftës dhe teknologjive të reja, duke iu referuar veçanërisht konflikteve në Ukrainë, Gaza, Liban dhe Iran.
Gjatë një vizite në Universitetin “Sapienza” të Romës, siç raporton Vatican News, Papa tha se bota po përballet me një “spirale shkatërrimi” të rrezikshme, të nxitur nga lufta moderne dhe përparimet teknologjike.
“Tragjedia e shekullit të 20 nuk duhet harruar”, tha Papa duke paralajmëruar kundër militarizimit në rritje dhe rritjes së shpenzimeve ushtarake, veçanërisht në Evropë. Ai përmendi veçanërisht “Ukrainën, Gazën dhe territoret palestineze, si dhe Libanin dhe Iranin” si shembuj të asaj që ai e quajti “evolucion çnjerëzor i marrëdhënies mes luftës dhe teknologjive të reja në një spirale shkatërrimi”.
Ai kritikoi rritjen e shpenzimeve globale ushtarake, duke theksuar se riarmatimi rrezikon të thellojë pasigurinë dhe të dobësojë diplomacinë.
“Le të mos e quajmë ‘mbrojtje’ një riarmatim që rrit tensionet dhe pasigurinë, varfëron investimet në arsim dhe shëndetësi, mohon besimin në diplomaci dhe pasuron elitat që nuk kujdesen për të mirën e përbashkët”, tha ai.
Papa paralajmëroi për rreziqet që lidhen me zhvillimin dhe përdorimin e inteligjencës artificiale në sektorët ushtarakë dhe civilë.
“Duhet të mbetemi vigjilentë ndaj zhvillimit dhe përdorimit të inteligjencës artificiale”, tha ai duke paralajmëruar se këto teknologji nuk duhet “t’ia heqin përgjegjësinë vendimeve njerëzore dhe të përkeqësojnë tragjedinë e konflikteve”.
Duke iu drejtuar studentëve dhe profesorëve, Papa u bëri thirrje të rinjve të bëhen “artizanë të paqes së vërtetë” dhe të refuzojnë atë që e quajti kulturë e formësuar nga lufta dhe armiqësia.
“Bëhuni artizanë të paqes së vërtetë, një paqeje të paarmatosur dhe çarmatosëse, e përulur dhe këmbëngulëse, që punon për harmoninë mes popujve dhe për kujdesin ndaj Tokës”, tha ai.
Papa shprehu gjithashtu shqetësim për ndryshimet klimatike, pabarazinë sociale dhe atë që e quajti “shantazhi i pritshmërive” që prek të rinjtë. /AA/


