Oqeanet arrijnë temperaturën më të lartë të regjistruar ndonjëherë gjatë gushtit
Temperatura e oqeaneve të botës ka arritur një rekord të ri historik, duke shkuar në 21.1°C më 22 gusht, sipas të dhënave të shërbimit klimatik të Bashkimit Evropian, Copernicus.
Kjo shifër është veçanërisht alarmante për shkak të kohës së vitit. Temperaturat globale të sipërfaqes së oqeaneve zakonisht arrijnë kulmin në mars dhe prill, ndërsa në gusht pritet të jenë në rënie, transmeton Telegrafi.
Rekordi i ri tejkalon lehtësisht atë të mëparshmin prej 21.09°C, të regjistruar në mars të vitit 2024. Ai gjithashtu thyen rekordin e mëparshëm për muajin gusht, prej 20.98°C, të vendosur në vitin 2023.
Një faktor që po i shton nxehtësinë oqeaneve është El Niño, i cili po forcohet në Paqësorin tropikal. Megjithatë, shkencëtarët paralajmërojnë se fenomeni nuk është shkaku i vetëm. El Niño po vepron mbi një oqean që tashmë është ngrohur ndjeshëm gjatë dekadave të fundit për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor.
Temperaturat më të larta të deteve mund të sjellin pasoja serioze: valë më të shpeshta dhe më intensive të të nxehtit detar, dëmtime të koraleve dhe ekosistemeve detare, zhvendosje të specieve dhe probleme për peshkimin dhe akuakulturën.
Oqeanet më të ngrohta gjithashtu kontribuojnë në rritjen e nivelit të detit dhe mund të furnizojnë atmosferën me më shumë nxehtësi dhe lagështi, duke favorizuar intensifikimin e disa reshjeve dhe stuhive.
Një tjetër shqetësim është roli i oqeaneve si “filtër” natyror i karbonit. Uji më i ngrohtë është më pak efikas në përthithjen e CO₂, çka mund të dobësojë një nga mekanizmat kryesorë që ndihmojnë planetin të frenojë ngrohjen globale.
Tani shkencëtarët po monitorojnë nëse rekordi i gushtit do të jetë vetëm një kulm i përkohshëm apo shenja e një periudhe edhe më të gjatë të nxehtësisë ekstreme të oqeaneve. /Telegrafi/


