Please enter at least 3 characters.

Oficerët e FSK-së përfundojnë kursin prestigjioz në Britani, Maqedonci: Investimi në zhvillimin profesional të kuadrit ushtarak prioritet strategjik

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka thënë sot se investimi në zhvillimin profesional të kuadrit ushtarak mbetet një nga prioritetet strategjike të Ministrisë së Mbrojtjes në ndërtimin e një ushtrie moderne, profesionale dhe plotësisht të ndërveprueshme me aleatët.

Maqedonci në një postim në Facebook shkruan se përfundimi me sukses i Kursit të Avancuar të Komandës dhe Shtabit (ACSC) në Akademinë e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar nga major Afrim Xhelili dhe major Besnik Thaqi, si dhe fitimi i titullit Master në Studimet e Mbrojtjes nga King’s College në Londër, është një arritje që pasqyron nivelin e lartë profesional të kuadrit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Lexoni të plotë postimin e Maqedoncit:

Investimi në zhvillimin profesional të kuadrit ushtarak mbetet një nga prioritetet strategjike të Ministrisë së Mbrojtjes në ndërtimin e një ushtrie moderne, profesionale dhe plotësisht të ndërveprueshme me aleatët tanë.

Përfundimi me sukses i Kursit të Avancuar të Komandës dhe Shtabit (ACSC) në Akademinë e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar nga major Afrim Xhelili dhe major Besnik Thaqi, si dhe fitimi i titullit Master në Studimet e Mbrojtjes nga King’s College në Londër, është një arritje që pasqyron nivelin e lartë profesional të kuadrit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ky program prestigjioz përgatit oficerët për udhëheqje në nivel operacional dhe strategjik, planifikim të operacioneve komplekse dhe bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë. Pjesëmarrja e oficerëve tanë përkrah mbi 240 pjesëmarrësve nga Britania e Madhe dhe 47 shtete të tjera është dëshmi e nivelit të lartë profesional që po arrin Forca e Sigurisë së Kosovës.

Urime major Xhelilit dhe major Thaqit për këtë arritje, e cila është një tjetër kontribut në forcimin e kapaciteteve profesionale të FSK-së dhe në avancimin e mbrojtjes së Republikës së Kosovës. /Telegrafi/