Nuk të lë vetëm as në banjë? Të ndjek kudo dhe qan sapo largohesh?
Disa fëmijë, në periudha të caktuara, duket sikur “ngjiten” pas prindit: e ndjekin kudo, e kanë të vështirë ndarjen dhe kërkojnë vazhdimisht afërsi
Në rrjetet sociale kjo dukuri përshkruhet shpesh me termin Velcro kids, ndërsa ekspertët shpjegojnë se në shumë raste është pjesë normale e zhvillimit.
Shumë prindër kalojnë nëpër një fazë kur fëmija dëshiron të jetë gjithmonë në të njëjtën dhomë, kërkon kontakt fizik dhe reagon edhe ndaj largimeve shumë të shkurtra.
Çfarë janë “fëmijët ngjitës”?
Ky term përdoret për fëmijët që e përjetojnë me vështirësi ndarjen nga prindi ose kujdestari. Sipas psikologëve të fëmijëve, kjo sjellje është veçanërisht e zakonshme në moshë të hershme dhe mund të lidhet me nevojën për siguri dhe afërsi.
Foshnjat janë më të prirura për këtë sjellje, sepse ende po zhvillojnë kuptimin se prindi vazhdon të ekzistojë edhe kur nuk është në fushën e tyre të shikimit. Kjo aftësi, e njohur si qëndrueshmëria e objektit, zhvillohet gradualisht gjatë vitit të parë të jetës.
Pse mund të shfaqet kjo sjellje edhe më vonë?
Pas fazës së foshnjërisë, lidhja e shtuar me prindin mund të lidhet me temperamentin, ndryshimet zhvillimore, dinamikën familjare apo situata stresuese.
Zhvendosja në një shtëpi të re, fillimi i çerdhes ose shkollës, ardhja në jetë e një foshnjeje tjetër apo ndryshime të mëdha në rutinë mund ta bëjnë fëmijën të kërkojë më shumë siguri.
Edhe një fëmijë që më parë ka qenë shumë i pavarur mund të kalojë përkohësisht në një fazë të tillë. Sjellja mund të ndryshojë sipas periudhave të zhvillimit, transmeton Telegrafi.
Si ndikon kjo te prindërit?
Afërsia me fëmijën është e rëndësishme dhe e bukur, por mungesa e vazhdueshme e hapësirës personale mund të jetë lodhëse.
Prindërit mund të përjetojnë lodhje emocionale dhe mendore, stres, ndjenjë mbingarkese apo edhe faj sepse kanë nevojë për pak kohë për veten.
Këto ndjenja nuk nënkuptojnë se prindi po bën diçka gabim.
Çfarë mund të ndihmojë?
Ekspertët rekomandojnë që pavarësia të nxitet gradualisht. Lavdërojeni fëmijën sa herë që arrin të bëjë diçka vetë dhe krijoni rutina të parashikueshme, sepse struktura e qartë i jep ndjenjë sigurie.
Ndarjet e shkurtra dhe të qeta janë gjithashtu të dobishme. Në vend të largimeve të gjata dhe dramatike, prindi mund t’i tregojë qartë fëmijës se po largohet dhe se do të kthehet.
Koha e ndarjes mund të zgjatet dalëngadalë, duke nisur me disa minuta.
Vendosja e kufijve është po aq e rëndësishme. Fëmija mund të mësojë se edhe prindi ka nevojë për hapësirë personale dhe se nevojat e të gjithë anëtarëve të familjes kanë rëndësi.
Ndihmon edhe pranimi i emocioneve të fëmijës. Një fjali si: “E di që e ke të vështirë kur largohem, por unë gjithmonë kthehem”, mund të jetë më efektive sesa t’i thuhet se nuk ka arsye për t’u mërzitur.
Loja, vizatimi, ushtrimet e thjeshta të frymëmarrjes apo objekte të vogla qetësuese gjithashtu mund ta ndihmojnë fëmijën ta përballojë më lehtë ndarjen.
Kur duhet kërkuar ndihmë?
Shumica e fëmijëve e kalojnë këtë fazë me rritjen, por ka raste kur është mirë të kërkohet mendimi i pediatrit ose psikologut të fëmijëve.
Vëmendje kërkohet sidomos nëse shfaqet një ndryshim i papritur dhe shumë i fortë i sjelljes, panik i vazhdueshëm gjatë ndarjes, dhimbje barku, dhimbje koke ose të përziera të lidhura me largimin e prindit.
Po ashtu, duhet vlerësim nëse fëmija fillon të shmangë shkollën, shoqërimin apo aktivitetet që më parë i pëlqenin, shqetësohet tepër për sigurinë e prindit, bëhet shumë agresiv ose shfaq regres në sjellje.
Nëse nevoja për afërsi fillon të pengojë seriozisht jetën e përditshme të fëmijës ose të familjes, këshillimi profesional mund të jetë shumë i dobishëm. /Telegrafi/


