Please enter at least 3 characters.

"Nuk je i mirëpritur këtu", transferimi i një izraeliti te Fiorentina shkaktoi skandal

Ardhja e Manor Solomon te Fiorentina ka shkaktuar reagime dhe polemika të ashpra politike në Itali.

Reprezentuesi izraelit u bë blerja e parë dimërore e klubit italian, duke mbërritur në Firence në formë huazimi nga Tottenham, me një opsion për ta blerë kontratën për 10 milionë euro.

Solomon e kaloi pjesën e parë të sezonit si huazim te Villarreali dhe tani do ta veshë fanellën e Fiorentinës deri në fund të sezonit. Megjithatë, transferimi i tij u zbeh shpejt nga polemikat politike, të lidhura me deklaratat e mëparshme rreth luftës në Gaza.

Më parë, futbollisti mbështeti hapur pikëpamjet e qeverisë izraelite në rrjetet sociale, dhe deklarata e tij pas shpërthimit të spitalit në Gaza tërhoqi vëmendje të veçantë.

"Shpërthimi në spital në Gaza është padyshim rezultat i një lëshimi të dështuar të raketës nga Xhihadi Islamik. Ata po vrasin popullin e tyre dhe po fajësojnë Izraelin për këtë”, kishte deklaruar Solomon.

Këto fjalë kishin shkaktuar tashmë zemërimin e disa tifozëve të Villarrealit, dhe reagime të ngjashme u shfaqën edhe tani.

Poshtë postimit të Fiorentinës me rastin e mbërritjes së Solomonit në Firence, u shfaqën komente të shumta me mesazhet "Palestina e Lirë", flamuj palestinezë dhe shprehje pakënaqësie për transferimin.

Jacopo Madau, sekretar provincial i partisë Sinistra Italiana dhe këshilltar bashkiak për kulturën, punën dhe politikat rinore në Sesto Fiorentino, u bashkua në diskutimin publik.

"Qoftë i pari apo i fundit, ai që nuk e fshehu kurrë mbështetjen e tij për politikën gjenocidale të Netanyahut nuk është i mirëpritur në Firence dhe nuk mund ta përfaqësojë qytetin tonë dhe Fiorentinën”, ka shkruar Madau.

Solomon, i lindur në vitin 1999, pati një gjysmësezoni modest pas te Villarreal me 11 paraqitje dhe gjithsej 358 minuta në fushë.

Përpara kësaj, ai shkëlqeu te Leeds në Championship, ku shënoi 10 gola dhe dha 12 asistime dhe ishte një nga lojtarët kryesorë në ngjitjen e klubit në Ligën Premier./Telegrafi/