“Nuk ia kam mbyllur kurrë dyert, jam i hapur”, Bastien Toma shpreh gatishmëri për ta përfaqësuar Kosovën
Mesfushori Bastien Toma është i gatshëm për të luajtur për Kombëtaren e Kosovës, nëse FFK-ja i jep mundësinë, kështu ka deklaruar ai në një intervistë për Telegrafin.
Toma, është ndër lojtarët që gjithnjë ka qenë i kërkuar nga Kosova, me kryetarin Agim Ademi i cili pesë vite më parë, pra në vitin 2020, edhe deklaroi se “Bastien Toma do të jetë futbollist i Kosovës”.
Megjithatë, vite kaluan dhe nuk e pamë Tomën në fanellën “Dardane”. Situata tani ka ndryshuar dhe mesfushori është më i gatshëm se kurrë për ta përfaqësuar vendin e prindërve.
Në një intervistë për Telegrafin, 26-vjeçari deklaroi se “nuk e ka pritur Zvicrën” mirëpo ka qenë i fokusuar për të gjetur vendin në klub.
“Nuk është se po prisja Zvicrën. Kryesisht doja të gjeja sërish ekuilibrin në nivel klubi, sepse gjëja më e rëndësishme është të performosh me klubin. Vendimet për kombëtaren bëhen të rëndësishme vetëm kur je duke bërë mirë. Nuk i kam mbyllur kurrë dyert Kosovës, ndaj nëse federata mendon se e meritoj vendin tim, jam i hapur”.
Për Tomën është normale që emrat si Leon Avdullahu po e lënë Zvicrën, shkaku që Kosova ka avancuar shumë këto vitet e fundit.
“Mendoj se është normale që shumë lojtarë marrin këtë vendim, sepse Kosova po përparon shumë dhe po ndërton një skuadër të fortë. Gjithnjë e më shumë lojtarë po tregojnë interes, gjë që tregon sa shumë po zhvillohet kombëtarja”.
Toma gjithashtu konfirmoi se kohëve të fundit nuk ka pasur kontakte me FFK-në, ndërsa në të kaluarën u kontaktua edhe nga FSHF-ja për ta përfaqësuar Shqipërinë.
“Ka pasur disa bisedime në të kaluarën, si me Kosovën ashtu edhe me Shqipërinë, por kohët e fundit jo (nuk jam kontaktuar nga FFK-ja). Për të ardhmen, gjithçka mbetet e hapur”.
“Shqipëria? Po, ka pasur interes në të kaluarën dhe e respektoj këtë. Por për momentin, nuk ka pasur kontakte të reja”, u shpreh lojtari për Telegrafin.
Ai ndër të tjera edhe zbuloi disa prapaskena interesante që e bënë të largohet nga St.Gallen. Sipas tij, klubi zviceran e la jashtë pa asnjë arsye ose shpjegim, pavarësisht që ishte ndër më të mirët në pjesën e parë të sezonit.
“Në përgjithësi, ishte një sezon i mirë për mua. Ndihem sikur po kthehesha në formën time më të mirë, sidomos deri në mars kur luaja rregullisht, paraqitesha mirë dhe po arrija statistika të mira. Kisha gjithashtu mundësinë të luaja në Ligën e Konferencës, ku dhashë paraqitje solide. Ishte një eksperiencë e shkëlqyer që më dha besim dhe më lejoi të përballem me ekipe të forta”.
“Por më pas klubi më la jashtë pa asnjë arsye dhe pa asnjë shpjegim. Prandaj e shoh sezonin si të përzier: isha në momentin tim më të mirë, por vrulli m’u ndërpre pa asnjë justifikim”.
“Nuk mund të vazhdoja më ashtu. Kishte gjëra që nuk i pranoja, dhe klubi kurrë nuk më dha një arsye të vërtetë pse nuk po luaja. Drejtuesit dhe trajneri më lanë mënjanë, ndaj për mua vendimi më i mirë ishte të ndërprisja kontratën dhe të ecja përpara”.
Pas largimit nga St.Gallen, Toma po e vazhdon karrierën në Poloni, ku ka nënshkruar me skuadrën LSK Lodz.
“Rreth dy javë më parë, vendosa të firmos këtu në Poloni. Projekti më bindi vërtet dhe besoj se është vendi i duhur për të treguar cilësitë e mia dhe për të vazhduar karrierën. Ky ishte motivi kryesor pas vendimit tim”.
“Për mua është e thjeshtë: të performoj mirë me klubin tim të ri, të jem i qëndrueshëm dhe të vazhdoj të përmirësohem. Nëse luaj mirë dhe qëndroj në formën time më të mirë, gjithçka tjetër do të vijë natyrshëm. Kjo është prioriteti im tani”, u shpreh Toma.
Përndryshe, mesfushori sulmues ka luajtur për të gjitha grupmoshat e Zvicrës, nga U15 deri në U21./Telegrafi/


