Please enter at least 3 characters.

Nuk është i paprekshëm te Jose Mourinho, Reali e vendos në shitje yllin francez

Real Madridi është i gatshëm të dëgjojë oferta për Aurelien Tchouamenin gjatë afatit kalimtar të verës, ndërsa Manchester United ka shfaqur interes serioz për mesfushorin francez.

Sipas raportimeve të gazetarit Gianluigi Longari, drejtuesit madrilenë nuk e konsiderojnë më 25-vjeçarin si një lojtar të paprekshëm dhe janë të hapur për të shqyrtuar oferta të rëndësishme si pjesë e një riorganizimi të mundshëm të mesfushës para sezonit të ri.

Megjithatë, dëshira e Tchouamenit mbetet qëndrimi në Santiago Bernabeu dhe lufta për një vend në formacionin e Jose Mourinhos.

“Tchouameni dëshiron të qëndrojë, por madrilenët po e konsiderojnë mundësinë e transferimit të tij”, raportohet nga Longari.

Në anën tjetër, Manchester United ka nisur lëvizjet konkrete për të vlerësuar mundësinë e transferimit. Klubi anglez thuhet se ka kontaktuar tashmë përfaqësuesit e lojtarit dhe ka zhvilluar bisedime paraprake me agjencinë e tij, Excellence Sports Nation.

Qëllimi i “Djajve të Kuq” është t’i prezantojnë francezit projektin sportiv të klubit dhe të shqyrtojnë kushtet e mundshme të një marrëveshjeje.

Tchouameni iu bashkua Real Madridit në vitin 2022 nga Monaco dhe ka qenë një pjesë e rëndësishme e mesfushës madrilene, por konkurrenca e madhe në repart dhe planet e reja të klubit mund të ndikojnë në të ardhmen e tij.

Mbetet të shihet nëse Manchester United do të paraqesë një ofertë zyrtare që mund ta bindë Real Madridin të ndahet me një nga mesfushorët e tij më cilësorë./Telegrafi/