Një minutë, një prekje, një penallti e humbur – statistikat e Mark Noble ndaj Unitedit
Minutat e fundit në ndeshjen ndërmjet West Ham Unitedit dhe Manchester Unitedit në London Stadium kanë prodhuar një dramë të vërtetë.
Ishte minuta e 89-të kur Jesse Lingard realizoi një gol të bukur duke shënuar kështu për epërsinë e Djajve të Kuq.
Dhe kur mendohej se gjithçka ka përfunduar, akoma kishte për të parë. Në minutat shtesë, Luke Shaw e ndali topin me dorë brenda gjashtëmbëdhjetëmetërshit dhe pas konsultimit të VAR-it u akordua penallti në favor të vendasve.
Trajneri David Moyes bëri lëvizjen e tij. E largoi nga loja Jarrod Bowen, ndërsa në fushë u inkuadrua Mark Noble (90’+4).
E gjitha kjo ishte me qëllimin që mesfushori 34 vjeçar ta ekzekutonte penallti dhe ai e bëri këtë. Mirëpo, David de Gea e ndali goditjen e tij (90'+5) duke ua siguruar tri pikë Djajve të Kuq. /Telegrafi/


