Please enter at least 3 characters.

Një klub nga një qytet i vogël me 13 mijë banorë është pranë sensacionit - është në prag të hyrjes në Bundesligë

Lufta për ngjitje në Bundesligë po hyn në fazën vendimtare, ndërsa këtë fundjavë zhvillohet raundi i 32-të i Bundesligës 2.

Dy skuadrat e para në renditje sigurojnë ngjitje direkte në elitë, ndërsa ekipi i vendit të tretë e kërkon Bundesligën përmes play-offiit me skuadrën që mbyll sezonin në pozitën e 16-të në Bundesligë.

Schalke e ka siguruar tashmë rikthimin në Bundesligë, por një nga historitë më të veçanta të këtij sezoni po shkruhet nga Elversbergu i vogël.

Në ndeshjen kryesore të raundit të 32-të, Elversberg e mposhti rivalin direkt Paderborn me rezultat bindës 5-1 në shtëpi, duke dhënë një sinjal të fortë se është gati për hapin historik.

Heroi i fitores ishte bullgari Lukas Petkov, i cili realizoi dy gola, ndërsa në listën e shënuesve u regjistruan edhe Maximilian Rohr, David Mokwa Ntusu dhe Raif Adam. Golin e vetëm për mysafirët e shënoi Calvin Brackelmann.

Fenomeni nga një komunë me 13 mijë banorë

Ndeshja u zhvillua në “Ursapharm Arena” të mbushur plot. Stadiumi me kapacitet 9,307 vende mund të mos duket mbresëlënës në shikim të parë, por historia pas tij është e jashtëzakonshme. Komuna Spiesen-Elversberg, në rajonin Saarland të Gjermanisë jugperëndimore, ka rreth 13,000 banorë.

Nëse Elversberg arrin ngjitjen, do të bëhej komuna më e vogël që ka pasur ndonjëherë një klub në Bundesligë, duke ia marrë këtë rekord Unterhachingut (rreth 26,000 banorë).

Edhe pse Hoffenheim shpesh përmendet si “fshati” i Bundesligës, klubi është i regjistruar në Sinsheim, që ka një popullsi shumë më të madhe.

Trajneri i ri dhe rruga drejt historisë

Elversberg, i themeluar në vitin 1907, po luan vetëm sezonin e tretë në historinë e vet në nivelin e dytë të futbollit gjerman. Në krye të ekipit këtë edicion është trajneri Vincent Wagner, i cili e mori drejtimin në fillim të sezonit, pas një zhgënjimi të madh vitin e kaluar.

Në edicionin e kaluar Elversberg e mbylli kampionatin në vendin e tretë dhe u eliminua në “playoff” nga Heidenheim. Pas barazimit 2-2 në ndeshjen e parë, kthimi përfundoi 1-1, ndërsa Heidenheim shënoi gol vendimtar në minutat shtesë, duke mbetur në Bundesligë.

Ai dështim shënoi edhe fundin e epokës së Horst Steffen, ndërsa drejtuesit e klubit vendosën të nisin një kapitull të ri me Wagnerin.

Gjithçka vendoset në dy ndeshjet e fundit

Me fitoren ndaj Paderbornit, Elversberg ka shkuar në 59 pikë dhe, me dy raunde të mbetura, ka një pikë më shumë se Hannoveri në vendin e tretë dhe Paderborni në vendin e katërt.

Në dy sfidat e fundit, Elversberg përballet me Fortuna Düsseldorf dhe MüUnster. Nëse arrin t’i fitojë të dyja, klubi do të kurorëzojë një rrugëtim të jashtëzakonshëm me ngjitjen e parë historike në Bundesligë. /Telegrafi/

Standings provided by Sofascore