Nis takimi joformal trepalësh SHBA, Ukrainë dhe Rusi
Kanë nisur bisedimet trepalëshe në Abu Dhabi mes Ukrainës, SHBA-së dhe Rusisë.
Aktualisht, nga ana ukrainase bëhet e ditur se po zhvillohen takime joformale.
Negociatat formale pritet të nisin më pas, në mbrëmje, shkruan skynews.
Këto negociata pritet të jenë bisedimet e para të drejtpërdrejta trepalëshe për paqe që nga fillimi i luftës në Ukrainë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky e kishte paralajmëruar këtë takim dje në Forumin Ekonomik Botëror në Davos. Kremlini e konfirmoi pjesëmarrjen gjatë natës.
Kievi tha se do të dërgojë kryenegociatorin e tij, Rustem Umerov dhe shefin e kabinetit të Zelenskyt, Kyrylo Budanov.
Moska ka deklaruar se do të dërgojë admiralin Igor Kostyukov për të udhëhequr një ekip zyrtarësh të lartë të ministrisë së mbrojtjes.
Ndërsa amerikanët do të përfaqësohen me dyshen e zakonshme Jared Kushner dhe Steve Witkoff, si dhe një fytyrë e re, këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Josh Gruenbaum.
Zelensky konfirmoi sot se edhe çështjet territoriale do të jenë pjesë e diskutimeve në Abu Dhabi.
Ato mbeten një pikë e vështirë, pasi Rusia kërkon që Ukraina të dorëzojë 20 për qind që ende kontrollon nga rajoni lindor i Donetskut.
Zelensky ka refuzuar të heqë dorë nga territori që Ukraina e ka mbrojtur me sukses, me kosto të madhe, gjatë viteve të fundit. /Telegrafi/


