Please enter at least 3 characters.

Nis pranimi i mbeturinave nga qytetarët në katër deponi sanitare të Kosovës

Ministrja në detyrë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli-Dalipi, ka njoftuar se ka nisur zyrtarisht pranimi i mbeturinave nga qytetarët në katër deponi sanitare të Kompanisë për Menaxhimin e Deponive të Kosovës (KMDK).

Sipas njoftimit të saj, qytetarët tashmë mund të deponojnë mbeturinat në mënyrë të ligjshme dhe të sigurt në deponitë sanitare në Mirash, Landovicë, Velekincë dhe Dumnicë.

“Sot ka nisur zyrtarisht pranimi i mbeturinave nga qytetarët në deponitë sanitare të KMDK-së në Mirash, Landovicë, Velekincë dhe Dumnicë”, ka bërë të ditur Pacolli-Dalipi.

Ajo ka theksuar se kjo nismë synon të ofrojë një alternativë të rregullt për qytetarët dhe të ndikojë në uljen e hedhjes së mbeturinave në vende të palejuara.

“Tashmë qytetarët kanë një vend të ligjshëm dhe të sigurt për t’i deponuar mbeturinat”, ka deklaruar ministrja në detyrë.

Sipas saj, pranimi i mbeturinave nga qytetarët do të bëhet çdo të shtunë, në intervalin kohor nga ora 08:00 deri në 16:00, në të katër deponitë sanitare.

“Çdo të shtunë, nga ora 08:00 deri në 16:00, në këto katër deponi pranohen mbeturinat nga qytetarët, prandaj nuk ka më arsye apo justifikim që ato të hidhen në natyrë ose në deponi ilegale”, është shprehur Pacolli-Dalipi.

Në fund, ajo ka bërë thirrje për përgjegjësi të përbashkët në ruajtjen e mjedisit.

“Të gjithë kemi për detyrë që ambientin ta ruajmë e Kosovën tonë ta bëjmë të pastër e të gjelbër”, ka theksuar Pacolli-Dalipi. /Telegrafi/