Nga Zvicra te Kosova, Albian Hajdari rrëfen gjithçka: Më shkruanin se e dinin ku jetonim
Mbrojtësi i Kosovës, Albian Hajdari, ka folur hapur për herë të parë rreth presioneve dhe kërcënimeve që përjetoi pasi vendosi të largohej nga Zvicra dhe t’i bashkohej Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Në një intervistë për mediumin zviceran “Watson”, të realizuar në prag të publikimit të një dokumentari kushtuar futbollistëve që kanë ndryshuar përfaqësuese, 23-vjeçari tregoi detaje të pathëna më parë rreth vendimit të tij.
Hajdari ishte pjesë e grumbullimeve të Zvicrës dhe kishte luajtur vetëm në një ndeshje miqësore, gjë që i mundësoi më pas kalimin te Kosova.
I pyetur nëse do ta konsideronte gabim paraqitjen me Zvicrën në Ligën e Kombeve, që do t’ia kishte mbyllur derën Kosovës, ai u përgjigj:
“Nuk mund të them. Nëse do të luaja, do të ishte fundi i kësaj. Do të më duhej të paraqitesha aq mirë sa që trajneri të mos mund të bënte më pa mua”.
Mbrojtësi i Hoffenheimit zbuloi se momenti vendimtar për të reflektuar mbi të ardhmen e tij erdhi pas një grumbullimi me përfaqësuesen zvicerane.
“Grumbullimi për ndeshje miqësore ishte qartë moment i rëndësishëm. Kam shpresuar të fitoj rastin për të shfaqur cilësitë e mia si opsion për të ardhmen. Kur përfundova duke luajtur ‘vetëm’ 45 minuta prej 180 të mundshëm, sinqerisht u dëshpërova”.
Ai pranoi se kishte pritur më shumë besim nga Federata Zvicerane e Futbollit dhe selektori Murat Yakin.
“Në atë kohë, kur gjërat po ecnin mirë për mua në nivel klubesh te Lugano dhe po paraqitesha mirë në nivel ndërkombëtar, kam pritur më shumë. Kam shpresuar se ata do t’i bënin planet e tyre më të qarta për mua dhe, mbi të gjitha, do të më jepnin besimin për të dëshmuar veten. Përfundimisht kjo ndikoi në vendimin tim”.
Një rol të madh në zgjedhjen e tij, sipas Hajdarit, luajti edhe historia e Kosovës.
“Më është dashur të futem më thellë në historinë e dy vendeve. Kosova është vend relativisht i ri, që ka vuajtur shumë kohët e fundit. Pata shumë biseda me njerëz që e kishin përjetuar këtë. Atëherë e kuptova, nëse mund të arrija diçka me këtë vend, nëse mund të marrim pjesë në Kupë të Botës apo Evropian, ose edhe të fitojmë një ndeshje të vetme, mund t’i bëj njerëzit jashtëzakonisht krenarë. Ky ishte momenti përcaktues për mua, mund të jem pjesë e sjelljes së suksesit në vend. Kjo më mbushi me një ndjenjë ngrohtësie”.
Hajdari theksoi se dëshiron të jetë pjesë e historisë së suksesit të Kosovës dhe të shërbejë si shembull për futbollistët e rinj me shtetësi të dyfishtë.
“Të luash mirë në dy kampionate evropiane apo botërore nuk mjafton. Kërkohet shumë më tepër. Për më tepër, kam dashur të inkurajojë të tjerë lojtarë të rinj që do të përballen me vendimin në të ardhmen dhe t’u tregoj atyre se mund të arrihen gjëra të mëdha edhe me vende të vogla”.
Megjithatë, vendimi i tij nuk u prit mirë nga të gjithë në Zvicër.
“Jo, e kam pritur këtë. Ajo që më ka befasuar më së shumti ishte frika në Zvicër e humbjes së lojtarëve me shtetësi të dyfishtë. Duhet të jeni të përgatitur për këtë. Pas vendimit të Leon Avdullahut, pati reagime të shumta dhe pyetje pse. Kam menduar se për mua reagimet do të ishin më të qeta. Por ishte edhe më i madh reagimi dhe zgjati për muaj pasi tashmë isha pjesë e ekipit përfaqësues të Zvicrës”.
Më tej, ai tregoi se pas vendimit për Kosovën mori edhe kërcënime serioze ndaj vetes dhe familjes.
“Kishte kërcënime dhe fyerje shumë personale. Njerëzit më shkruanin duke më thënë se e dinin ku jetoja unë dhe prindërit e mi. Se do t’i sulmonin prindërit e mi nëse nuk do të isha në shtëpi. Por unë nuk i marr shumë afër zemrës këto mesazhe në rrjetet sociale. Është pjesë e lojës dhe duhet të jem në gjendje ta përballoj. Familja ime është prekur më rëndë, por u thashë familjarëve: ‘Kjo ka të bëjë me mua. Unë mora vendimin, kështu që është përgjegjësia ime t’iu mbroj nga kjo. Ju nuk duhet të frikësoheni nga kjo’”.
Sipas Hajdarit, prindërit e tij e mbështetën pavarësisht zgjedhjes që do të bënte, por vendimi final ishte tërësisht i tij.
Pavarësisht se Zvicra ka siguruar pjesëmarrjen në Botëror, ndërsa Kosova ende jo, Hajdari thotë se nuk është penduar asnjëherë.
“Dua të jem pjesë e këtij tregimi”. /Telegrafi/


