Please enter at least 3 characters.

Nga një bisedë te një simbol i Kosovës: mesazhi emocionues i Albert Bunjakit për Vedat Muriqin

Ish-përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Albert Bunjaki, ka ndarë një mesazh të ndjerë për sulmuesin Vedat Muriqi, duke rikujtuar momentet e para të bashkëpunimit dhe rrugëtimin e tij drejt Kombëtares.

Bunjaki tregoi se kontakti i parë me Muriqin daton nga koha kur sulmuesi luante në ligën e dytë në Turqi, duke theksuar se që atëherë kishte vërejtur potencialin, forcën fizike dhe karakterin e tij. Sipas tij, dëshira e Muriqit për të përfaqësuar Kosovën ishte e qartë që në bisedën e parë, ku ai kishte shprehur vendosmërinë për të luajtur për vendlindjen.

Në mesazhin e tij, Bunjaki e përshkroi Muriqin si një lojtar që nuk përfaqëson vetëm një ekip, por një popull të tërë, duke vlerësuar përkushtimin dhe shpirtin luftarak që ai ka treguar në çdo ndeshje.

Në fund, ish-përzgjedhësi shprehu krenarinë për rrugëtimin e përbashkët, duke theksuar se Muriqi mbetet një simbol i dashurisë dhe sakrificës për fanellën e Kosovës.

Ky mesazh i Bunjakit vjen pas fyerjeve që kapiteni i Kosovës mori nga disa tifozë për kinse mos angazhim në ndeshjen finale të ‘play-off’-it ndaj Turqisë, të humbur me rezultat 0-1 dhe u publikua nga gazetari i Radio Dukagjinit, Naim Selmani.

Mesazhi i plotë i ish-përzgjedhësit Albert Bunjaki për Vedat Muriqin

"Vedat Muriqi meriton respekt.

Kontakti im i parë me Vedatin ishte kur ai luante në ligën e dytë në Turqi, te Giresunspor, në rrugëtimin e tij drejt një niveli më të lartë. Në atë kohë e dija që kishte qenë pjesë e Kombëtares U21 të Shqipërisë dhe gjithashtu ndiqej nga Kombëtarja e Turqisë. Që atëherë, tek ai pashë diçka të veçantë.

Unë kërkoja një sulmues me tipare të qarta fizike, prezencë dhe karakter cilësi që mund të mbajnë një ekip. Përpjekjet për të afruar Vedat Muriqin u bënë gjithnjë e më konkrete.

Bisedën tonë të parë e mbaj mend shumë mirë. Ai më tha:

“Trajner, unë dua të përfaqësoj vendlindjen time.”

Në atë moment e kuptova vendosmërinë e tij. Zemrën e tij të madhe. Dashurinë e tij të sinqertë për Kosovën.

Vedat, ti je bir i Kosovës dhe gjithmonë do të mbetesh i tillë.

Ti nuk përfaqëson vetëm një skuadër, por një popull të tërë.

Ti je krenaria jonë, në fushë dhe jashtë saj.

Futbolli është më shumë se një ndeshje.

Dhe ti tashmë ke treguar çfarë do të thotë të luash me zemër për vendin tënd.

Krenar qe rrugët tona u bashkuan"

/Telegrafi/