Please enter at least 3 characters.

Nga Çikatova e Vjetër e Drenicës drejt majave të kinemasë botërore: Visar Morina vlerësohet për suksesin ndërkombëtar

Faruk Ajeti, ambasadori i Kosovës në Gjermani, ka vlerësuar suksesin ndërkombëtar të regjisorit kosovar Visar Morina, duke e cilësuar atë si një nga regjisorët më të mirë të kinematografisë së Kosovës.

Ajeti ka mirëpritur në ambasadë Visar Morinën, një artist dhe krijues me vizion të jashtëzakonshëm, i cili prej vitesh jeton dhe vepron në Gjermani.

“Dje pata kënaqësinë e veçantë të mirëpres në ambasadë një nga regjisorët më të mirë të kinematografisë sonë Visar Morina, një artist dhe krijues me vizion të jashtëzakonshëm, i cili prej vitesh jeton dhe vepron në Gjermani”, ka shkruar Ajeti.

Ai ka theksuar se nga Çikatova e Vjetër e Drenicës, me talent dhe një gjuhë të veçantë artistike, Morina ka arritur të prekë skenat më prestigjioze të kinemasë ndërkombëtare.

Së fundmi, filmi i tij “Shame and Money” është shpërblyer me çmimin kryesor në Filmfest München dhe në Sundance Film Festival, një arritje e veçantë që e afron drejt nominimit për çmimin më prestigjioz të kinemasë botërore, Oscarit.

“Por suksesi i Visarit është shumë më tepër se një triumf individual. Ai është një histori suksesi i Republikës tonë, një dëshmi e fuqisë së talentit tonë dhe të potencialit të jashtëzakonshëm krijues që njerëzit e vendit tonë zotërojnë”, ka deklaruar Ajeti.

Ai ka theksuar se me veprat e tij të vlerësuara ndërkombëtarisht, si “Von Hunden und Tapeten”, “Der Schübling”, “Babai”, “Exil” dhe së fundmi “Shame and Money”, Visar Morina ka ngritur lart emrin e kinematografisë së Kosovës dhe ka vendosur një standard të ri artistik në skenën evropiane.

Në muajt në vijim, në kuadër të diplomacisë kulturore, Ajeti ka bërë të ditur se do të ketë bashkëpunim me Visar Morinën dhe artistë të tjerë për të sjellë më afër publikut gjerman historinë, talentin dhe krijimtarinë e jashtëzakonshme të artistëve kosovarë. /Telegrafi/