Please enter at least 3 characters.

Nëse ju kruhet skalpi, flokët nuk rriten: Ja çfarë duhet të bëni së pari

Kruarja, zbokthi dhe rritja e ngadaltë e flokëve janë shenja që tregojnë se lëkura e kokës ka nevojë për kujdes të veçantë

Sa herë keni blerë një shampo të re me shpresën se pikërisht ajo do t’i zgjidhë të gjitha problemet që flokët të rriten më shpejt, të duken më të dendur, më të shndritshëm dhe më të shëndetshëm? Raftet e dyqaneve janë plot me premtime për “formula magjike”, por e vërteta është shumë më e thjeshtë.

Flokët e shëndetshëm nuk fillojnë nga shampoja. Fillojnë nga skalpi.
Vetëm kur ta kuptoni këtë, do të ndaloni së kërkuari produkte mrekullie dhe do të filloni të ndërtoni një rutinë që vërtet sjell rezultate.

Skalpi është baza e gjithçkaje dhe shpesh e neglizhojmë

Shumica e njerëzve kujdesen për flokët, por harrojnë se skalpi është vazhdim i lëkurës së fytyrës. Ashtu si fytyrën e pastrojmë, e hidratojmë dhe e trajtojmë me serume, të njëjtin kujdes e meriton edhe lëkura e kokës.

Nëse skalpi ju kruhet, shtrëngohet, luspohet apo duket i thatë, këto nuk janë shenja për t’u injoruar. Janë sinjale të qarta që tregojnë se ka nevojë për kujdes shtesë.
Kur skalpi është i shëndetshëm, flokët rriten më të fortë, duken më të dendur dhe kanë shkëlqim natyral.

Pse trajtimet për skalpin janë kaq të rëndësishme?

Në skalp grumbullohen çdo ditë:

  • sebumi
  • mbetjet e shampove dhe maskave
  • produktet për stilizim
  • qelizat e vdekura të lëkurës

Nëse këto nuk largohen rregullisht, mund të shfaqen inflamacion, zbokth, kruarje dhe rritje e ngadalësuar e flokëve.
Një piling i butë ose një serum për skalpin ndihmon që lëkura të “marrë frymë” dhe folikulat të mbeten të hapura, duke krijuar kushtet ideale për rritje të shëndetshme, transmeton Telegrafi.

Paralajmërim i rëndësishëm: mos e teproni

Edhe pse serumet vajore dhe trajtimet intensive duken joshëse, përdorimi i shpeshtë mund të sjellë efekt të kundërt.
Teprica e produkteve yndyrore në skalp mund të shkaktojë çrregullim të ekuilibrit, shtim të yndyrës apo edhe zhvillim të kërpudhave.
Moderimi është çelësi.

Si të zgjidhni trajtimin e duhur për skalpin tuaj?

Probleme të ndryshme kërkojnë përbërës të ndryshëm:

Skalp i yndyrshëm
– Pilingë të butë, veçanërisht ata me acid glikolik, që ndihmojnë në largimin e tepricës së yndyrës.

Rënie e flokëve
– Përbërës si ginkgo biloba ose vaji emu përdoren shpesh për të stimuluar qarkullimin dhe për të forcuar rrënjën e flokut.

Skalp i thatë dhe i dehidratuar
– Acidi hialuronik dhe ekstrakti i kokosit qetësojnë dhe hidratojnë lëkurën e kokës.

Çfarë duhet shmangur në produkte?

Disa përbërës mund ta irritojnë edhe më shumë skalpin, sidomos nëse është i ndjeshëm: parabenë, sulfate, formaldehid, ngjyra sintetike, silikone.

Silikonet japin shkëlqim të menjëhershëm, por shpesh bllokojnë poret, mbyllin folikulat dhe mund të përkeqësojnë zbokthin dhe rënien e flokëve.

Sa shpesh përdoren pilingët dhe trajtimet?

Rregulli i përgjithshëm është i thjeshtë:

Piling për skalpin, maksimumi 1–2 herë në javë, vetëm nëse keni skalp shumë të yndyrshëm.
Përdorimi i shpeshtë mund të heqë vajrat natyralë dhe të shkaktojë kruarje edhe më të fortë.

Për rutinën e përditshme preferohen:

  • shampo të buta pa sulfate
  • maska ushqyese
  • vajra qetësues në sasi të vogla

Si ta kuptoni që skalpi juaj ka nevojë për ndihmë?

Nëse vini re kruarje, djegie, ndjesi shtrëngimi, skuqje, zbokth, rënie të shtuar të flokëve, është shenjë se skalpi kërkon kujdes shtesë.
Shkaktarë mund të jenë grumbullimi i qelizave të vdekura, dermatiti seborrheik, ekzema, psoriaza, por edhe produkte agresive, ngjyrosje e shpeshtë apo larje me shampo të forta.

Flokët e ëndrrave fillojnë aty ku rrallë shikojmë

Ndoshta nuk ju duhet një shampo e re “mrekullie”.
Ndoshta ju duhet vetëm një gjë: një skalp i shëndetshëm.

Kur kujdesi për të vihet në plan të parë, flokët vërtet mund të rriten “si nga uji”. /Telegrafi/