Në Prishtinë nisi “Ora e Pritjes”, numërimi së prapthi në pritje të krerëve të UÇK-së
Në Bulevardin “Nëna Terezë” në Prishtinë ka nisur sot “Ora e Pritjes”, aktivitet i platformës “Liria ka Emër” në bashkëpunim me komunën e Prishtinës, përmes të cilit ka filluar numërimi së prapthi drejt 16 shtatorit, datës kur pritet vendimi final për ish-krerët e UÇK-së në Hagë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Në shesh është vendosur një ekran gjigant, i cili do të numërojë ditët, orët, minutat dhe sekondat deri më 16 shtator, në shenjë pritjeje dhe mbështetjeje për çlirimtarët.
Në hapje të aktivitetit foli përfaqësuesi i platformës “Liria ka Emër”, Ismail Tasholli, i cili tha se “Ora e Pritjes” simbolizon pritjen e qytetarëve të Kosovës për drejtësi dhe kthimin e ish-krerëve të UÇK-së në atdhe.
“Nga sot, çdo ditë që kalon na afron me 16 shtatorin. Kjo orë nuk numëron vetëm kohën, por edhe pritjen, shpresën dhe besimin tonë se çlirimtarët do të kthehen në Kosovë. Kosova po pret dhe këtë pritje do ta bëjmë të dukshme çdo ditë,” tha Tasholli.
Nënkryetarja e Prishtinës, Besianë Musmurati, e cila foli në cilësinë e bashkëorganizatores, theksoi se Kryeqyteti do të jetë pjesë aktive e aktiviteteve në mbështetje të historisë dhe vlerave të luftës çlirimtare.
“Prishtina është Kryeqyteti i lirisë dhe është e natyrshme që pikërisht këtu të nisë ky numërim. Deri më 16 shtator, qyteti ynë do të jetë në frymën e kujtesës, solidaritetit dhe pritjes për çlirimtarët tanë,” tha Musmurati.
Në aktivitet foli edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, i cili përsëriti mbështetjen për aktivitetet e platformës “Liria ka Emër” dhe bëri thirrje për bashkim qytetar përtej dallimeve politike.
“Pra, sot fillon ora. Por bashkë me të duhet të fillojë edhe diçka tjetër: angazhimi ynë. Le të mos numërojmë vetëm sa ditë kanë mbetur deri më 16 shtator. Le të numërojmë sa herë do ta kujtojmë historinë. Sa herë do ta themi të vërtetën. Sa herë do t'u tregojmë fëmijëve tanë se liria nuk piku nga qielli. Ajo u fitua. Me guxim. Me sakrificë. Me jetë. Prandaj, nga sot deri më 16 shtator, le ta kthejmë pritjen në veprim. Le ta kthejmë kujtesën në bashkim. Sepse, Kosova e di historinë e saj. Sepse, Kosova e kujton sakrificën e saj. Dhe, sepse, Kosova është krenare me luftën e saj çlirimtare. Mbi të gjitha: Kosova nuk heq dorë nga e drejta për ta mbrojtur të vërtetën e saj. Më 12 shtator, të jemi të gjithë bashkë në Prishtinë. Kosova po pret. Po i pret bijtë e saj. Faleminderit,” tha Hamza.
“Ora e Pritjes” nis 25 ditë para 16 shtatorit dhe është pjesë e një serie aktivitetesh që do të zhvillohen në Prishtinë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
Platforma “Liria ka Emër” ka paralajmëruar gjithashtu Marshin për Liri, i cili do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, nën moton “Kosova po pret”. /Telegrafi/


