Please enter at least 3 characters.

Në Drenas bëhet përurimi i dhomës për edukim dhe promovim shëndetësor në QKMF

Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Drenas është bërë përurimi i Dhomës për Edukim dhe Promovim Shëndetësor, e cila do të shërbejë për zbatimin e programit “Kujdesi Grupor për Prindërim”.

Në këtë përurim morën pjesë nënkryetari i Komunës, Arben Shala, Drejtoresha e Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Lumnië Krapi, Drejtori i QKMF-së, Ismet Bogiqi, përfaqësues nga AMC dhe stafi profesional i institucionit.

Ky program, i cili bazohet në Udhëzimin Administrativ Nr. 04/2020 për Kujdesin Parësor Shëndetësor, ka për qëllim të ofrojë mbështetje për prindërit përmes sesioneve grupore, duke trajtuar tema si: prindërimi pozitiv, zhvillimi i fëmijëve, kujdesi prenatal dhe postnatal.

Ministria e Shëndetësisë ka krijuar një Grup Punues që ka hartuar listën e unifikuar të pajisjeve të nevojshme për funksionalizimin e këtyre dhomave.

UNICEF, ka pajisur këtë dhomë me aparaturat e nevojshme, duke mundësuar funksionalizimin e plotë të saj dhe ofrimin e shërbimeve cilësore për prindërit dhe komunitetin.

AMC po ashtu përkrah sesionet grupore me prindër në kuadër të këtij programi, duke kontribuar në ngritjen e kapaciteteve të profesionistëve shëndetësorë dhe ndërgjegjësimin e komunitetit për rëndësinë e kujdesit prindëror.

Kjo hapësirë e re do të kontribuojë në përmirësimin e shëndetit dhe mirëqenies së komunitetit, duke fuqizuar rolin e QKMF-së si qendër komunitare që ofron jo vetëm shërbime shëndetësore, por edhe edukim dhe mbështetje për familjet./Telegrafi/