Në 27-vjetorin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi, Kurti kërkon ndëshkimin e urdhërdhënësve dhe ekzekutorëve
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë thirrje për zbardhjen e plotë të vrasjes së vëllezërve Yll, Agron dhe Mehmet Bytyqi, duke theksuar se drejtësia për ta mbetet obligim i Republikës së Kosovës dhe i bashkësisë ndërkombëtare.
Në tubimin përkujtimor të mbajtur në ballkonin e Kryeministrisë, me rastin e 27-vjetorit të vrasjes së tre vëllezërve Bytyqi, Kurti tha se historia e tyre është simbol i atdhedashurisë, sakrificës dhe luftës për liri.
Ai rikujtoi se tre vëllezërit, qytetarë amerikanë me prejardhje nga Kosova, iu bashkuan njësitit vullnetar "Atlantiku" të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe morën pjesë në luftën çlirimtare kundër regjimit serb.
Kurti veçoi edhe aktin e tyre human, duke kujtuar se më 23 qershor 1999 ata po ndihmonin një familje rome të largohej nga Kosova drejt Serbisë, kur u arrestuan nga policia serbe. Pas vuajtjes së një dënimi prej 15 ditësh burg, në vend që të liroheshin, ata u ekzekutuan nga aparati shtetëror serb, ndërsa trupat e tyre u gjetën në vitin 2001 në varrezën masive të Petrovo Sellos në Serbi.
"Vëllezërit Bytyqi janë dëshmi e qartë e krimeve të Serbisë ndaj shqiptarëve dhe njëkohësisht e mungesës së vullnetit të saj për të dhënë përgjegjësi për këto krime," deklaroi Kurti.
Ai theksoi se kalimi i kohës nuk e zbeh detyrimin për drejtësi, por e bën edhe më të rëndë barrën e pandëshkueshmërisë.
Sipas Kurtit, Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë të bashkuara në kërkesën që autorët dhe urdhërdhënësit e këtij krimi të dalin para drejtësisë.
Kryeministri në detyrë falënderoi SHBA-në për angazhimin e vazhdueshëm në këtë çështje, duke përmendur edhe rezolutat e miratuara nga Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit Amerikan në vitet 2019 dhe 2022, përmes të cilave Serbisë i është kërkuar bashkëpunim për zbardhjen e rastit.
Në përfundim të fjalës së tij, Kurti tha se Republika e Kosovës do të vazhdojë të kërkojë të vërtetën, përgjegjësinë dhe drejtësinë për vëllezërit Bytyqi.
"Do të vazhdojmë të angazhohemi për të arritur drejtësi për ta, deri në fund. Përveçse duhet të përparojë kombi ynë dhe Republika jonë, duhet të vihet deri në fund edhe drejtësia për ta," u shpreh ai./Telegrafi/


