Ndërpritet shërbimi i mbledhjes së mbeturinave për familjet me borxhe në disa fshatra të Vushtrrisë
Ndërmarrja Publike Lokale Përparimi ka njoftuar se sot është ndërprerë shërbimi i mbledhjes së mbeturinave për ekonomitë familjare në disa fshatra, për shkak të mosshlyerjes së obligimeve financiare.
Sipas njoftimit, ndërprerja e shërbimit ka prekur fshatrat Gllovotin, Bivolak, Stroc, Zhilivod, Bëqiq, Dubovc dhe Galicë, në përputhje me orarin e rregullt të mbledhjes së mbeturinave.
Po ashtu, bëhet e ditur se gjatë gjithë javës ndërprerja do të vazhdojë në të gjitha fshatrat, përfshirë edhe qytetin, për të gjitha ekonomitë familjare që nuk i janë përgjigjur thirrjes për pagesën e borxheve të akumuluara.
Nga NPL Përparimi theksojnë se ky veprim është ndërmarrë pasi ekonomitë familjare në fjalë nuk kanë reaguar ndaj ftesës së Kryeshefit Ekzekutiv, e cila ishte dërguar ditë më parë për shlyerjen e obligimeve financiare.
Ndërmarrja ka paralajmëruar se, nëse brenda tetë ditëve nga dita e sotme nuk kryhet pagesa e borxhit, do të ndërmerren masa ligjore, përfshirë edhe aplikimin e kamatës, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
NPL Përparimi ka ftuar të gjithë qytetarët me obligime të papaguara që t’i kryejnë pagesat me kohë, me qëllim të shmangies së pasojave ligjore dhe sigurimit të vazhdimësisë së shërbimit. /Telegrafi/


