Please enter at least 3 characters.

Na fal, Granit! Disa gabuan (numërohen me gishta) – por dije që ata që të duan janë me mijëra në Kosovë

Granit Xhaka, kapiteni i padiskutueshëm i Zvicrës, zbriti sot në “Fadil Vokrri” për ndeshjen e radhës ndaj Kosovës, ku në pjesën e parë, një numër jo aq i madh për të thënë dhjetëra, nga tribuna lindore, i vërshëllyen yllit të futbollit shqiptar.

Shkaku ishte një deklaratë për dy lojtarë të rinj shqiptarë, Albian Hajdarin dhe Leon Avdullahun, të cilët Xhaka i vlerësoi si jo të gatshëm për të marrë minutazh të rëndësishëm në përfaqësuesen helvete, duke marrë si shembull Ardon Jasharin, një tjetër shqiptar që luan për Zvicrën.

Por kjo situatë nuk duhet të hidhërojë askënd. Granit Xhaka asnjëherë nuk e ka fshehur prejardhjen e tij, dhimbjen e familjes dhe historinë e kaluar, dhe gjithmonë ka folur me krenari dhe me zë të lartë për rrënjët e tij shqiptare.

Ai vazhdon të mbetet një nga mesfushorët më të mirë në botë, aktualisht duke luajtur në Ligën Premier me Sunderland, dhe më parë ka bërë karrierë të suksesshme te Arsenal dhe Bayer Leverkusen.

Në kombëtaren e Zvicrës, Xhaka ka qenë lider i jashtëzakonshëm, me gola dhe paraqitje memorabile, përfshirë ndeshjet kundër Serbisë, ku ka treguar karakter dhe pasion, duke festuar me fanellën e Jasharit – një moment krenarie që nuk harrohet lehtë.

Ai mbetet shqiptari i vetëm i nominuar për Topin e Artë, një arritje individuale e jashtëzakonshme.

Numri që e vërshëlloi ishte i vogël në stadium, por Granit, edhe pse sot je i hidhëruar, mos harro: mijëra, për të mos thënë miliona, shqiptarë të duan me zemër, për atë që je, atë që përfaqëson dhe që ke bërë për vendin tënd, Kosovën.

Në fund, Granit Xhaka mbetet simbol i profesionalizmit dhe lider i natyrshëm. Ata që e duan dhe e njohin e dinë se vlerat e tij nuk mund të fshihen nga pak kritika të izoluar. /Telegrafi/

true