Murtezani: Marrëveshja e Ohrit e shndërroi Maqedoninë e Veriut në demokraci funksionale multietnike
Ministri i Ministrisë për Çështje Evropiane (MÇE), Orhan Murtezani, sot mori pjesë në Konferencën e ambasadorëve "Diplo2025", e cila po zhvillohet sot dhe nesër në Tiranë, Shqipëri. Murtezani mbaji fjalim me temë „Shqiptarët në rajon – identitet i përbashkët, qëllim evropian i përbashkët“, në kuadër të ditës së parë të Konferencës, thuhet në njoftimin e MÇE-së.
Murtezani theksoi se rruga drejt Bashkimit Evropiani për vendet e Ballkanit Perëndimor paraqet zgjedhje vlerash bazuar në të ardhmen e përbashkët, e jo vetëm proces teknik. Ai potencoi se Maqedonia e Veriut mbetet fuqishëm e përkushtuar ndaj agjendës evropiane përmes implementimit të reformave thelbësore, të mbështetura nga Instrumenti për Ndihmë para-aderimit dhe Instrumentit për reforma dhe rritje, në kuadër të Planit për rritje për Ballkanin Perëndimor.
"Ministri rikujtoi rëndësinë e Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2001, e cila e shndërroi Maqedoninë e Veriut në demokraci funksionale multietnike dhe mundësoi rol aktiv politik dhe institucional për shqiptarët në shtet. Ky model, siç u shpreh minstri, është dëshmi se diversiteti paraqet fuqi e cila e përforcon stabilitetin dhe është vlerë e cila përkon me standardet evropiane. Murtezani gjithashtu iu referua nevojës për thellim të lidhjes rajonale përmes projekteve të përbashkëta kulturore dhe infrastrukturore. Ministri theksoi Korridorin 8-të si simbol i integrimit dhe lidhjes evropiane i cili njëkohësisht lehtëson tregtinë dhe përforcon bashkëpunimin në mes vendeve të rajonit. Në këtë kontekst ai theksoi edhe rëndësinë e shkëmbimeve kulturore dhe arsimore, të cilat kontribuojnë në krijimin e identitetit të përbashkët evropian.
Në porositë e tij, Murtezani u shpreh se bashkësitë shqiptare në rajon kanë rolin e urave lidhëse natyrore për dialog dhe mirëkuptim, të cilat kontribuojnë në marrëdhënie të fqinjësisë së mirë; një nga kriteret kyçe për anëtarësimin në Unionin Evropian. Ai tha se shqiptarët në rajon gjithmonë kanë qenë aktivë në ndërtimin e institucioneve, përforcimin e kohezionit social dhe avancimin e sundimit të ligjit, si dhe në luftën kundër korrupsionit, e cila paraqet vlerë kyçe, si evropiane poashtu edhe shoqërore", thuhet në njoftim./Telegrafi/


