Please enter at least 3 characters.

Mourinho dhe Perez bien dakord për transferimin e madh që do ta këndellë Real Madridin

Jose Mourinho po i afrohet rikthimit te Real Madridi, ndërsa në “Santiago Bernabeu” thuhet se tashmë kanë nisur planet për një transferim spektakolar, me qëllim që epoka e re të marrë hov menjëherë.

Sipas raportimeve, presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, ka arritur marrëveshje për kushtet me Mourinhon, i cili e drejtoi klubin mes viteve 2010 dhe 2013, duke e udhëhequr drejt titullit të La Ligas në sezonin 2011/12.

Mourinho zakonisht shkon në një klub me kërkesa të qarta, veçanërisht në afatin kalimtar, dhe duket se ai dhe Perez janë në një mendje që në krye të listës së objektivave duhet të jetë një “maestro” i mesfushës, fitues i Topit të Artë.

“Supozohet se Mourinho dhe Perez besojnë fuqishëm se Reali kurrë nuk e zëvendësoi vërtet ndikimin, kontrollin dhe lidershipin që dikur e ofronin Toni Kroos dhe Luka Modric”, raporton TEAMtalk.

Real Madridi thuhet se është i vendosur ta transferojë Rodrin nga Manchester City dhe edhe Mourinho, ndonëse emërimi i tij nuk gëzon mbështetjen e të gjithëve brenda rrethit të klubit, është në linjë me këtë plan.

Mesfushori 29-vjeçar ka kontratë me Manchester Cityn deri në verën e vitit 2027.

“Supozohet se Mourinho e sheh yllin e Cityt si figurën ideale për ta rikthyer autoritetin dhe ekuilibrin në mesfushë, ndërsa Perez e konsideron reprezentuesin spanjoll si lojtar të nivelit të duhur për t’u kthyer në ‘zemrën’ e Real Madridit të ardhshëm”, shkruan TEAMtalk.

Rodri, i lindur në Madrid, konsiderohet si një nga mesfushorët më të mirë në botë. Ai e fitoi Topin e Artë në vitin 2024, pasi udhëhoqi Manchester Cityn drejt triumfit të parë në Ligën e Kampionëve dhe ishte pjesë kyçe e tripletës historike në sezonin 2022/23.

Ky është pikërisht profili i lojtarit që i përshtatet ambicieve të një klubi si Real Madridi, sidomos në nisje të një cikli të ri, pas një sezoni pa trofe./Telegrafi/