Mourinho buzëqesh në fund, Real Madridi merr tri pikët në transfertë ndaj Espanyolit
Real Madridi ka regjistruar fitoren e parë në edicionin e ri të La Ligës, pasi triumfoi 2-1 ndaj Espanyolit në kuadër të javës së dytë të kampionatit spanjoll.
“Los Blancos” e nisën ndeshjen mirë dhe kaluan në epërsi që në minutën e nëntë. Arda Güler ekzekutoi një goditje standarde, ndërsa Jude Bellingham u shkëput mirë në zonë dhe me kokë e dërgoi topin në rrjetë për 1-0.
Espanyoli reagoi në minutën e 30-të. Alex Calatrava pranoi një pasim brenda zonës dhe me një goditje të fuqishme në këndin e sipërm mposhti Thibaut Courtois, duke e barazuar rezultatin në 1-1.
Deri në fund të pjesës së parë, të dyja skuadrat patën raste për të shënuar. Kylian Mbappe rrezikoi pas një aksioni individual, por goditja e tij u ndal nga portieri Marko Dmitrovic. Në anën tjetër, Courtois reagoi shkëlqyeshëm ndaj një tentative të Expositos.
Pjesa e dytë nisi me Real Madridin më kërkues. Në minutën e 53-të, Bellingham ishte pranë golit të dytë, por goditja e tij me kokë pas një korneri u devijua nga Dmitrovic dhe përfundoi në traversë.
Reali vazhdoi të kërkonte golin e fitores dhe në minutën e 78-të ishte Federico Valverde ai që iu afrua realizimit, por goditja e tij nga distanca u ndal nga shtylla.
Jose Mourinho bëri disa zëvendësime për të freskuar skuadrën, ndërsa në minutën e 80-të aktivizoi edhe Carlos Espin në vend të Bellinghamit.
Carlos Lisan Al Gaib Espi saves the day
pic.twitter.com/qw8nJiEZk6
— Managing Madrid (@managingmadrid) August 22, 2026
Dhe ndryshimi rezultoi vendimtar.
Në minutën e 90-të, Espi pranoi një pasim të bukur brenda zonës dhe me qetësi e dërgoi topin pas shpinës së Dmitrovic për 2-1.
Espanyoli tentoi të reagonte në minutat shtesë, por Real Madridi arriti ta menaxhojë avantazhin deri në fund./Telegrafi/


